PDK akuza LVV për ndërprerjen e seancës
KP
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka adresuar akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për pamundësim të votimit të nismës ligjore për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, duke ndërprerë punimet e seancës së sotme parlamentare.
Në një konferencë për media, shefi i GP të PDK-së Abelard Tahiri tha se mazhoranca dhe VV po gjejnë metoda të ndryshme në Kuvend, për ta penguar votimin e projektligjit.
“Në mënyrë të paprecedentë sot është ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe thuhet do të vazhdojë nesër. Kjo është e papranueshme”, tha ai.
Ndërsa, deputeti Bekim Haxhiu si iniciues i kësaj nisme ligjore, tha se në fillim pati një optimizëm për votim, por disa deputetë kanë presion nga Qeveria.
“Kryetari i Kuvendit, ashtu edhe si disa deputetë të mazhorancës, iu nënshtruan presionit të qeverisë nga frika se projektligji për Trustin do të kalojë sot, me presionin edhe të shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, e cila shkoi te kryetari i Kuvendit dhe kërkoi të ndërpritet seanca”, tha ai.
Shefi i GP të PDK-së paralajmëroi se nëse edhe nesër nuk kalon projektligji dhe nëse Qeveria nuk merr masë konkrete për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, qoftë përmes përmirësimit të pagës minimale ose formave të tjera, do ta rishikojnë mundësinë e sjelljes së projektligjit përsëri në Kuvend në nëntor























