Serbët në veri e kanë mirëpritur marrëveshjen për energjinë
Ahmet Maholli- RTK
Me marrëveshjen për energjinë që u nënshkrua dje në Bruksel, Kosova do t’i kursejë dhjetëra miliona euro të destinuar për rrymën në veri. Për të parë se si e kanë pritur qytetarët serbë këtë marrëveshje, e cila pas 23 vitesh i detyron të paguajnë rrymën që e harxhojnë.
Për më shumë se njëzet vjet asnjë qytetar serb i Veriut të Mitrovicës nuk ka paguar faturat për energjinë elektrike të shpenzuar, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës afro 500 milionë euro. Shumë nga ta nuk deshën të deklarohen para kamerës kur u pyetën se a do ta paguajnë tash e tutje, pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë.
Marrëveshjen për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qytetarët serbë të pjesës Veriore të Mitrovicës së Veriut e kanë vlerësuar të rëndësishme duke thënë se mjaftë deri tash nuk kanë paguar rrymë, porse nga tash e tutje ata do të jenë të gatshëm ta paguajnë atë.
“Mjaftë s’e kemi paguar rrymën në veri, e për marrëveshjen kam dëgjuar dhe ajo çfarë mendoj unë, është një marrëveshje e mirë”, shprehet një qytetare.
Për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Albin Kurti foli edhe në mbledhjen e Qeverisë. Ai tha se nga kjo marrëveshje, pas më shumë se 20 vjetësh, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen dhjetëra miliona euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit.
“Katër komunat në veriun e Kosovës do të kalojnë në një rend të rregullt të furnizimit, faturimit dhe inkasimit të pagesave për konsumin e energjisë elektrike, në bazë të sistemit rregullativ dhe ligjor të republikës së Kosovës. Udhërrëfyesi I dakorduar në takimin e djeshëm në Bruksel do ta mundësojë këtë. Bashkimi evropian do ta mbikëqyrë zbatimin e këtij dakordimi”, tha kryeministri.
Sipas kryeministrit Kurti, me zbatimin e këtij udhërrëfyesi mundësohet përfundimi i një problematike të trashëguar të pagesës së energjisë në katër komunat në Veri të vendit.