Aksioni i policisë rreth shkollave në Ferizaj, konfiskohen edhe armë
N. Mekolli /RTKlive.com
Policia e Kosovës njofton se Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve në koordinim më Drejtorinë e Arsimit të komunës së Ferizajt dhe nën autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt , mbi bazën e disa informacioneve që në fillim të muajit shkurt 2022 kishte nisur aksioni e koduar, ‘’Siguria në shkolla 2022’’.
“Në kuadër të këtij plani, pas disa kontrolleve të zhvilluara nga hetues rajonal me rroba civile, të mbështetur edhe nga njësi tjera , kanë ndaluar dhe kontrolluar shumë nxënës në afërsi të shkollave, dhe persona tjerë në rrugë të ndryshme të qytetit.
Gjithashtu, janë bastisur dhe kontrolluar disa lokale, shtëpi dhe objekte përcjellëse, ku si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar : Armë zjarri (pistoleta), pesë (5), armë të gjata gjysmë automatike dy ( 2) , sasi e municionit, thika , 40 copa, kryesisht të nxënësve të shkollave të mesme, boksa metali, 10 copë, te nxënësit e shkollave të mesme, mulli për bluarje të marihanës 6 copë, shufra metali, 4 copë dhe elektro shok, 1 copë”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Bëhet e ditur se me këtë rast janë ndaluar dhe shoqëruar në polici , dyzetë (40) persona me dyshimin se kanë përdorur narkotikë dhe ndaj tyre janë inicuar raste në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore të Ferizajt.
“Gjithashtu janë ndaluar dhe shoqëruar në polici edhe njëzetë (20) persona me dyshimin se kanë shitur narkotikë ( marihuanë) dhe ndaj tyre janë inicuar raste penale për Prokurorinë Themelore të Ferizajt”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.
Gjithashtu bëhet e ditur se aksioni i policisë do të vazhdojë edhe në etapat tjera, nga muaji shtator-2022, me fillimin e procesit të mësimit, me synim parandalimin dhe luftimin e dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla.



























