Diplomuan 51 studentë të gjeneratës së pestë në Siguri Publike
BKT
Lajme

Diplomuan 51 studentë të gjeneratës së pestë në Siguri Publike

Ahmet Maholli - RTK

U mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së pestë të studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike ku diplomuan 51 studentë prej të gjitha agjencive të sigurisë publike.

Për Selman Jasharajn sot është një ditë e veçantë, kjo ngase pas katër vite studimi, po bëhet gati që të marrë diplomën në Fakultetin e Sigurisë Publike të Kosovës.

Dhe nuk vonoi shumë, pas fjalimeve të zyrtarëve të sigurisë publike, erdhi radha për ta marrë diplomën.

Jasharaj thotë se gjatë studimeve ka arritur që të aftësohet për të qenë pjesë e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

 “Do të punojmë maksimalisht në bazë të programit, provimeve, aftësimeve profesionale që kemi marrë edhe në fakultet do të mundohemi të punojmë me atë qytetarë të cilët janë të dënuar për vepra të ndryshme penale që janë në burg dhe të punojmë maksimalisht që të mundohemi t’i risocializojmë dhe riintegrojmë për një jetë pasi ta kryejnë dënimin”, tha Selman Jasharaj i diplomuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se siguria e vendit tonë shpesh është cenuar nga faktorë të ndryshëm, ndaj është e domosdoshme ngritja e kapaciteteve tona në menaxhimin e  çfarëdo lloj situate.

"Lufta e Rusisë dhe Ukrainës patjetër se ka ndikuar edhe në sigurinë tonë duke marrë parasysh se Serbia është pozicionuar përkrah agresorit dhe në vazhdimësi ka bërë përpjekje për destabilizimin e vendit tonë, deri tash ne kemi qenë në nivel të lartë të detyrës. Ndaj ju ftoj që dijen akademike dhe përvojën e vlefshme qe e keni marrë ta forconi, ta ofroni në ngritjen e kapaciteteve të agjencive dhe shtetit në përgjithësi", tha Sfeçla.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se të gjithë bashkë janë zotuar se do të rrisin dhe forcojnë kapacitetet e sigurisë.

"Ministria e Drejtësisë bashkë me shërbimin korrektues të Kosovës po punojnë që të rrisin dhe avancojmë programe të ndryshme për trajnime dhe avancime të stafit korrektues në fushat e ndryshme në mënyrë që programet që aplikojnë ndaj personave të dënuar, brenda institucioneve korrektuese të zbatohen nga profesionistë të fushave si dhe të garantojnë qëndrueshmëri në zbatimin e tyre", tha Haxhiu.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se avancimi i kuadrove të sigurisë ndikon në ndërtimin e institucioneve kredibile, llogaridhënëse për një të ardhme më të sigurtë.

"Ne jemi të përkushtuar që në vazhdimësi të ngrisim cilësinë e shërbimit për të gjithë qytetarët e vendit tonë gjithnjë me qëllim të ruajtjes dhe respektimit të të drejtave individuale, dinjitetit njerëzor, ndaj dhe diplomimi juaj është kontribut i juaj në këtë drejtim", tha Mehmeti.

Këtë vit përfunduan studimet në Fakultetin e Sigurisë Publike 51 studentë prej të gjitha agjencive të sigurisë publike.


MË SHUME NGA Lajme