Fushë - Kosova harton Planin e Mobilitetit Urban, opozita skeptike
BKT
Lajme

Fushë - Kosova harton Planin e Mobilitetit Urban, opozita skeptike

Valjeta Shala RTK

Komuna e Fushë Kosovës ka hartuar Planin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për të kuptuar plotësisht problemet aktuale të rrjetit të transportit, për të identifikuar zgjidhjet e mundshme dhe përmes saj të zgjidhen disa nga problemet që ka kjo komunë. Opozita nuk beson që Komuna mund ta zbatojë këtë plan, ndërsa qytetarët presin që më shumë parkingje e gjelbërim.

Ashtu si shumë qytete të tjera, edhe Fushë Kosova vuan nga mbingarkesa në trafik, që shpesh sjell efekte negative për mjedisin dhe imazhin e qytetit.

Por, tashmë komuna ka hartuar planin e mobilitetit të qëndrueshëm urban, i cili pritet të përmirësojë disa nga problemet aktuale.

Abdullah Prebreza-  drejtor i Urbanizmit në Komunën e Fushë Kosovës, thotë se për këtë plan kanë punuar që tri vjet dhe se plani pritet të zbatohet sipas tri fazave kohore.

 “Si plan i përfshinë 5 pika kryesore. Lëvizja e këmbësoreve - çiklistëve, transporti publik, janë lidhjet ndërkombëtare ndërurbane komunale, transporti hekurudhor dhe analiza e parkingjeve. Si plan ka mu zbatuar në tri faza. Faza e parë në vitin 2023. Faza e dytë 5 vite dhe e treta 10 vjeçare”, thotë Prebreza.

Ai i bëri të ditura disa nga projektet e fazës së parë.

“E para është menaxhimi i infrastrukturës rrugore ku do të rregullohen të gjitha kahjet e lëvizjes në komunë të Fushë Kosovës. Pastaj lëvizja e këmbësoreve-çiklistëve. Këto janë në fazën e parë 2 vjeçare. Që fillon në 2023 dhe ka afat dy vjet me të zbatohet", tha Prebreza

Kurse opozita ka kritika në lidhje me planin e mobilitetit. Nga PDK dhe VV thonë se plani është vështirë I zbatueshëm.

 “Ne mendojmë që qeverisja aktuale nuk mund ta zbatoj këtë plan sepse i njohim se si punon dhe funksionon .Nuk janë në gjendje një punë më të vogël me rregullua a leje këtë”, tha Mirsad Qyqalla- shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Fushë Kosovë.

 “Është vështirë i zbatueshëm dhe mënyra se si e kanë transmetuar këta. Ne nuk dyshojmë në punën e eksperteve që e kanë bërë por është vështirë i zbatueshëm sepse ka degraduar aq shumë. U deshtë me pas  këtë parasysh edhe disa çështje të infrastrukturës sikurse këtu në rr."Dardani" siç janë ujerat atmosferike”, tha Shpend Bardiqi- asamblist LVV, Fushë Kosovë.

E qytetarët presin që disa nga problemet në këtë komunë të zgjidhen.

“Veç ndërtim kane lëshu. U deshtë me lan pak gjelbërim e parking. Por këtu nuk kanë lan send", tha Habib Hajdari- qytetar.

 “Parking me pas se shume se rruga e zane. Hapësire pak...”, shprehet Skender Bytyqi- qytetar. Ndryshe, Plani i mobilitetit pritet të miratohet në Kuvendin Komunal javën e ardhshme.


MË SHUME NGA Lajme