PSD dorëzon peticionet me marrëveshjet që dikur i kundërshtonte VV-ja
Naser Mekolli /RTKlive.com
Partia Socialdemokrate (PSD) ka dorëzuar para objektit të Qeverisë, qindra peticione për marrëveshjet e vitit 2015, që i kundërshtonte Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë kryeministri Albin Kurti i ka ndërruar qëndrimet, ndryshe në opozitë e ndryshe në pushtet.
“Mbani mend peticionin më të madh në Kosovë që ka ndodhur ndonjëherë? Sigurisht që po. Ti që sot po e sheh këtë peticion, që e kemi risjellur në formë aksioni, të kujtohet vetja duke e nënshkruar. Në vitin 2015, u mblodhën mbi 200,000 nënshkrime për të kundërshtuar 4 marrëveshjet e arritura me Serbinë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe, barrikadimin në urën e Ibrit në Mitrovicë, kodin telefonik shtetëror si dhe marrëveshjen e energjisë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Molliqaj i kujton atë që shkruhej aty: “Këto marrëveshje nuk i përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës…”, “Qytetarët e Kosovës nuk ia kanë dhënë mandatin Qeverisë së Kosovës që të pranojë marrëveshje të tilla”.
Ky vullnet politik dikur ishte edhe i Kurtit, shton ai.
“Vërtetohet lehtë; në këtë peticion ka nënshkruar me dorën e vet. Sot, ky vullnet është zhvendosur. Paradigma e mëhershme e dialogut Kosovë-Serbi është pranuar në tërësinë e saj. Marrëveshja e dëmshme për energjinë u nënshkrua. Ajo është problematike për dy arsye: Së pari sepse ka hapur rrugën që veriu i Kosovës të trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës, dhe së dyti kjo marrëveshje është sinjal i qartë që edhe marrëveshjet e tjera do të pranohen, duke përfshirë edhe atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në këtë komunikatë.
“Nxjerrja e hipokrizisë nuk mjafton. Kritika e jonë është ndaj dëmit që kjo qeveri po sjell. Me pranimin e kornizës së vjetër të dialogut, e për pasojë edhe të marrëveshjeve të arritura, Kosova po ndahet në vija etnike, duke përjetësuar konflikt e konservuar ndarje”, thuhet tutje në njoftim
Molliqaj thotë se Kurti dhe qeverisja e tij nuk kanë mandat për të bërë marrëveshje që ndajnë Kosovën. “Çfarëdo marrëveshje e pjesshme nuk çon tek marrëveshja përfundimtare; çfarëdo marrëveshje e pjesshme nuk mund të sjell paqe të përhershme në mes të dy vendeve. Prandaj, pos që janë gabim, janë edhe të dëmshme dhe të rrezikshme”, thuhet postjerash në këtë komunikatë të PSD-së.























