Osmani: Suksesi ekonomik i Singaporit frymëzim për Kosovën
Naser Mekolli /RTKlive.com
Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve gjatë vizitës në Singapor është pritur sot nga Kryetari i Parlamentit të Singaporit, Tan Chuan-Jin, së bashku me një grup deputetësh.
“Presidentja Osmani ka folur mbi marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Singaporit, duke vlerësuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar për t’i përafruar më shumë vendet tona, si dhe qëndrimet karshi zhvillimeve globale. “Bashkëpunimi ynë bilateral ka potencial për t’u thelluar më tej, e këtu rol të veçantë luan edhe diplomacia parlamentare” ka theksuar Presidentja Osmani”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Bëhet e ditur se, Osmani ka përmendur suksesin ekonomik dhe zhvillimor të Singaporit, si frymëzues për Kosovën. Në këtë drejtim, Presidentja ka folur edhe për potencialin e intensifikimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona në mbrojtje, energji, arsim e fusha të tjera të interesit të përbashkët.
Presidentja Osmani dhe kryetari Chuan-Jin kanë biseduar edhe për zhvillimet globale dhe nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara në këto kohë të sfidave madhore.
























