Lajçak: Me Kurtin diskutuam rrugën përpara në dialog
BKT
Lajme

Lajçak: Me Kurtin diskutuam rrugën përpara në dialog

Blerim Halimi / RTKlive

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ndodhet për vizitë në Kosovë, ka thënë se e ka përgëzuar kryeministrin Albin Kurtin për marrëveshjen e arritur për energjinë mes Kosovës dhe Serbis si dhe kanë diskutuar për rrugën përpara në dialog..

“Shumë mirë që u ktheva në Kosovë! E nisa vizitën time duke u takuar me kryeministrin për të vazhduar diskutimin tonë për rrugën përpara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Unë gjithashtu e përgëzova atë për arritjen e një marrëveshjeje për energjinë javën e kaluar”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Më herët për takimin me Lajçakun është deklaruar po ashtu në Twitter edhe kryeministri Kurti. Ai ka shkruar se fokusi i palës kosovare do të mbetet arritja e marrëveshjes me Serbinë, që në qendër do ta ketë njohjen reciproke.

“Ne mirëpresim përputhjen e fundit në udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë. Fokusi ynë do të mbetet në arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë me në qendër njohjen reciproke”, ka shkruar Kurti pas takimit me diplomatin evropian.
Lajçak gjatë vizitës në Kosovë do të takojë edhe liderët e partive opozitare si dhe është planifikuar edhe vizita e tij në Prizren dhe në veri të Kosovës. 


MË SHUME NGA Lajme