"Vidovdani" përfundon me një të arrestuar (Plotësuar)
Jeton Musliu/ RTKlive
Policia e Kosovës, në kuadër të realizimit të planit operativ “Vidovdani 2022”, sot në orët e mëngjesit në pikat kufitare Vërmicë dhe Kullë, gjatë kontrollit policorë zyrtarët kufitar në tri raste të ndara kanë ndaluar për kontrolle dhjetë persona serbë, shtetas të Malit të Zi.
Gjatë kontrollit në bagazhet e automjeteve të tyre janë hasur disa ndërresa të dyshuara me mbishkrime të nxitjes së urrejtjes.
Lidhur me rastet janë kontaktuar prokurorët kompetent, me vendim të të cilëve personave në fjalë iu është refuzuar hyrja në Kosovë, përderisa ndërresat me mbishkrime të ndryshme janë konfiskuar.
Ndërsa gjatë manifestimit në Gazimestan një person, shtetas i Serbisë, është shoqëruar në stacion policor, pasi i njëjti dyshohet për thirrje dhe nxitje të urrejtjes e përçarjes. Po ashtu lidhur me rastin të gjitha veprimet e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatën e policisë.
Erdhën, u lutën, shkuan
Ka përfunduar manifestimi për shënimin e “Vidovdanit” në Gazimestan.
Dhjetëra qytetarë serbë të mbledhur nga Kosova e të ardhur edhe nga Serbia, morën pjesë në liturgjinë e drejtuar nga priftërinjtë ortodoksë më manastirin e Graçanicës.
Shumë prej tyre erdhën me vetura private e të tjerë në mënyrë të organizuar me autobusë.
Ata janë kontrolluar nga policia e Kosovës për ekspozim të simboleve nacionaliste.
Disa prej tyre janë detyruar të zhveshin bluzat të cilat përmbanin mesazhe nacionaliste serbe.
Ata janë shpërndarë të qetë pas shërbimit fetar, drejtuar nga Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.



Serbët mbërrijnë për tubimin e përvitshëm në Gazimestan
Kanë filluar të mblidhen serbët nga Kosova dhe rajoni për të festuar “Vidovdanin” në Gazimestan të Prishtinës.
I gjithë manifestimi qendror po përcillet me prani të shtuar të Policisë së Kosovës të cilët po kryejnë kontrolle ndaj të pranishmëve.
Gjithashtu, të njëjtëve po iu pamundësohet hyrja me çfarëdo mbishkrimi nacionalist në bluzat e tyre.
Serbët shënojnë “Vidovdanin”, policia ndërmerr masat e sigurisë
Jeton Musliu/RTKlive
Serbët festojnë sot “Vidovdanin”. Ata përkujtojnë betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389.
Në Gazimestan afër Prishtinës, pritet të vijnë një numër qytetarësh të këtij nacionaliteti, nga Kosova dhe Serbia.
Në lidhje këtë ngjarje, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë të gjitha masat.
Policia ka njoftuar se ka hartuar operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas manifestimit.
Historia serbe, Ditën e Shën Vidit e sheh të pandarë me Betejën e Kosovës, betejë kjo e zhvilluar para 633 vjetësh, si dhe e njeh atë si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht se forcat ballkanike e kishin humbur atë nga forcat e Perandorisë Osmane, ku edhe ishte vrarë princi serb Lazar.
E në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen e siç thuhej bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës.
Ky kishte qenë edhe paralajmërimi i luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish-federatës jugosllave.























