Opozita-Lajçakut: Njohja reciproke themel për dialog (Plotësuar)
Jeton Musliu / RTKlive
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Emisari special i BE-së, për dialogun Kosovë, serbi- diplomati sllovaku Miroslav Lajçak, pati takime me liderët opozitarë në vend.
Emisari special i BE-së, për dialogun Kosovë, serbi- diplomati sllovaku Miroslav Lajçak, u prit në mëngjesin e sotëm nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Kryetari i kësaj partie opozitare, duke publikuar fotografi në llogarinë e tij ën Facebook, deklaroi se nga Lajçak është informuar rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes dy vendeve.
“U informova edhe rreth hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmerren”, deklaroi Krasniqi.

“Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi kryetari i PDK-së.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot gjithashtu në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë - Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Gjatë takimit, kryetari Abdixhiku dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, diskutuan për situatën e përgjithshme politike në vend, ndërsa temë e veçantë e diskutimit ishte procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Siç njofton LDK me një komunikatë për media, me këtë rast, kryetari Abdixhiku, ia rikonfirmoi Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, qëndrimin e LDK-së, ku theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës.
Kryetari Abdixhiku, ndër të tjera, tha se LDK mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtar në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit.

Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, kërkoi përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit.
Në takim, të emëruarin special për dialogun, Miroslav lajçak e priti edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Edhe ky i fundit njoftoi në rrjetet sociale se Lajçakut ia ka përsëritur qëndrimet e tij për dialogun.

“Që dialogu ka domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve”, ka shkruar Haradinaj.
“Gjithashtu z.Lajçak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”.
Para takimeve të tij me liderët e partive opozitare, Lajçak ka ardhur dje në Kosovë, ku është takuar me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak sot në Prishtinë, takime me opozitën
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi se çështja e personave të pagjetur vazhdon të jetë urgjente.
Ai këtë deklaratë e bëri pas vizitës së tij në Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur në Prishtinë dhe pasi pa një shfaqje për këtë temë.
Lajçak gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin ka thënë se kanë diskutuar për çështjen e dialogut me Serbinë.
Lajçak ka thënë se e ka përgëzuar Kurtin për arritjen e marrëveshjes për energjinë.
Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak do të takohet edhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajcak, do qëndrojë deri nesër në Kosovë.























