Kurti priti në takim Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës
N. Mekolli /RTKlive.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, priti në takim Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës
Bëhet e ditur se ky është takimi i parë pas emërimit të anëtarëve të këtij Komisioni nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Komisioni është organ kolegjial i cili menaxhon punën e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që ka rol shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në vend.
“Në takim u theksua rëndësia e punës së Komisionit, dhe e kryerjes së detyrave me profesionalizëm dhe kompetencë në shërbim të së mirës së përgjithshme dhe kthimit të besimit të qytetarëve në të gjitha institucionet publike”, thuhet në një njoftim të zyrës për informim të kryeministrit.
Kreu i qeverisë me këtë rast u ka uruar punë të mbarë dhe suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja të gjithë anëtarëve të Komisionit, duke kujtuar se rëndësia e punës së tyre rritet edhe më shumë në kohën kur po përballemi me një periudhë inflacionare, thuhet në këtë njoftim.
.jpg)























