Konjufca: SHBA, fanari i lirisë për Kosovën dhe aleati më i popullit tonë
Afet BELA/ RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ShBA është pishtari i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut dhe shtylla kryesore për paqen dhe stabilitetin në mbarë botën.
"Ishte edhe fanari i lirisë për Kosovën dhe mbetet aleati më i madh i popullit tonë. Miqësia e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë i cili ka udhëhequr lidhjet tona të forta tash e sa vite, në mbrojtje, siguri, përparim ekonomik dhe marrëdhënie tjera strategjike dhe ndërnjerëzore. Ky bashkëpunim dhe partneritet çdo ditë po rritet dhe po forcohet edhe më shumë", ka shkruar ai në "Facebook".
Sipas tij populli i Kosovës qëndron i përkushtuar, siç ka qëndruar gjithmonë, krah Shteteve të Bashkuara. Do të punojmë së bashku për të adresuar sfidat e ndryshme si në rajon ashtu edhe në rrafshin global.
"Edhe pse gjeografikisht të largët, ne ndajmë një botëkuptim dhe interesa të përbashkëta për të avancuar idealet e paqes dhe prosperitetit. Pavarësia është një vlerë për të cilën populli shqiptar ka luftuar shumë dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se sa e çmuar është ajo. Shpreh urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për popullin amerikan në 246 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës", ka shkruar në "Facebook", kyetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 246-vjetorin e Ditës së Pavarësisë. 4 Korriku shënon ditën e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Britania e Madhe, në vitin 1776, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike.























