Boletini: Po angazhohemi edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në Evrovizion
N. Mekolli /RTKlive.com
Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini, njoftoi për pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në takimin e 88-të të Asamblesë së Përgjithshme të Unionit të Transmetuesve Publikë Evropian (EBU), në Dubrovnik të Kroacisë.
Delegacioni i Kosovës përbëhej nga kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), nënkryetarja e Bordit, Arta Berisha dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Kryetari Boletini në emisionin “Info plus”, foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së delegacionit tonë në Asamblenë e Përgjithshme të EBU.
“Pjesëmarrja jonë atje ka qenë e rëndësishme para së gjithash që të njihemi me udhëheqësit e transmetuesve të tjerë publikë. Atje folëm për sfidat me të cilat po përballen transmetuesit publikë, e ndër to edhe për mënyrën e financimit dhe pavarësimit editorial, si dhe ndikimi dhe shkëmbimi i lajmeve për luftën në Ukrainë”, tha Boletini.
Ai shtoi se qëllimi i delegacionit tonë ishte edhe takimi me sa më shumë delegacione, udhëheqës dhe zyrtarë të transmetuesve publikë të EBU-së.
“Kemi pasur takime të rëndësishme gjatë atyre ditëve, kemi takuar edhe drejtorin e përgjithshëm të EBU-së, i cili mund të them se është një përkrahës i ynë dhe kemi biseduar për shumë modalitete sa i përket anëtarësimit të Kosovës në EBU, sepse ne nuk e fshehim qëllimin tonë për anëtarësim si anëtar me të drejta të plota në EBU dhe, sigurisht, që të marrim pjesë edhe në Evrovizion”, tha ai.
Boletini tha se për këtë kanë biseduar edhe me vendet që nuk na njohin, kështu që janë disa opsione për të cilat, ai thotë se ende nuk do t'i publikojnë tani, por do të shohin cila është mundësia më e mirë për anëtarësimin e RTK-së në EBU.
“Ne do të shohim një mënyrë më të shpejtë për të marrë pjesë në Evrovizion, sepse anëtarësimi në EBU është një sfidë më e madhe. Anëtarësimi është edhe proces politik megjithatë, sepse vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë dilemat e veta”, tha Boletini.
Kjo vizitë, tha tutje Boletinit, është një hap i rëndësishëm drejtë anëtarësimit në EBU, sepse atje kanë folur edhe për modalitete të tjera, si do të mund të marrim pjesë në Evrovizion, sepse janë dy angazhime të ndara, për këtë, thotë ai, do të kenë edhe disa takime online.
Ai foli edhe për sfidat me financim dhe pavarësi editoriale.
“Disa prej transmetuesve sigurisht se kanë ende këtë sfida, derisa disa prej vendeve më të zhvilluar, si Gjermania apo shtete skandinave e kanë të tejkaluar këtë problem. Por ajo që është rëndësishme dhe që dua ta theksoj është se kemi takuar edhe drejtorë të vendeve që kanë kaluar në problemet tona të njëjta dhe që e kanë bërë reformë të thellë në transmetuesit publikë, ku ata udhëheqin” u shpreh ai .
Boletini tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me këta njerëz dhe do të përpiqen të marrin modele dhe ide nga përvoja e tyre.
“Ne normalisht kemi vënë kontakte me ta sigurisht edhe drejtori gjeneral do të jetë në kontakt me ta që, normalisht, të marrim modele dhe të marrim ide nga përvoja e tyre, sepse qëllimi ynë është të bëjmë një reformë të thellë në RTK, e cila do të nisë shumë shpejt” tha ai.
Sipas Boletinit, kjo reformë e re që do të nisë shumë shpejt do të shikohet në shumë departamente, shumë pozicione të punës, do të bëhet një riorganizim total i funksionimit të RTK- së, që ai të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.























