Qipro mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Qipro mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Fadil Sertolli / RTKlive.com

Ministri i Punëve të Jashtme të Qipros, Ioannis Kasoulides ka konfirmuar mbështetjen e Qipros për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Me këtë rast ai ka përgëzuar Kryeministrin Kurti për ndryshimet demokratike dhe stabilitetin e arritur në vend.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Qeveria e Kosovës, ku thuhet se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros, Ioannis Kasoulides.

Kurti me këtë rast ka folur për zhvillimet pozitive në Kosovë, rritjen ekonomike, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

 “Kryeministri theksoi potencialin për lëvizje pozitive në raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Qipros. Ai potencoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dëshmuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

I pari i Qeverisë së Kosovës i bëri ftesë Ministrit Kasoulides për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, për të parë personalisht zhvillimet pozitive në vend.

Ndryshe, ky takim u realizua në kuadër të pjesëmarrjes së Kryeministrit Kurti, në Tryezën e Rrumbullakët organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Gjatë qëndrimit të tij atje, kryeministri po zhvillon takime zyrtare me përfaqësues të ndryshëm.


APR