Beteja për bukën, Peci: Kosova siguron 73 për qind të nevojave me grurë
Lajme

Beteja për bukën, Peci: Kosova siguron 73 për qind të nevojave me grurë

Naser Mekolli/RTKlive

(E plotësuar) Agresioni rus mbi Ukrainën ka bërë që shumë çmime të produkteve ushqimore të rriten. Mes tyre edhe ai i miellit e rrjedhimisht edhe i bukës. Punimi i tokës është lënë anash në Kosovë për shumë vite. E kjo për shumë arsye.

Rritja edhe e çmimit të derivateve të naftës dhe tregu jo i sigurt, ka bërë që fermerët të mos jenë shumë entuziastë të merren me bujqësi. Për këtë arsye, sonte në emisionin “RTK PRIME” po flitet pikërisht për bukën.

Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se sigurimi i i ushqimit është një temë që po e preokupon tërë globin, madje edhe liderët e superfuqive botërore, prandaj edhe ne, si Kosovë, nuk kemi si mos të jemi të prekur karshi rritjes së çmimeve në tregun botëror.

Sipas tij, krahas kësaj nevoje janë bërë edhe angazhimet institucionale dhe ato të bizneseve dhe fermerëve, për të zgjeruar kapacitetet për të siguruar bukën.

“Në kuadër të angazhimeve tona, si Ministri edhe si Qeveri, kemi tentuar të japim maksimumin, brenda mundësive dhe kapaciteteve buxhetore, që të rrisim nivelin e subvencioneve”, tha ai.

Ministri Peci foli edhe për shakatarët e krizës globale, si ajo e pandemisë, nga Covid-19, ashtu edhe luftën në Ukrainë pas agresionit rus atje, që ndikuan në shkëputjen e prodhimit, por edhe transportit.

“Kemi rritur përkrahjen në bujqësi, në rritjen e sipërfaqeve, kemi rritur përkrahjen për subvencionimin e mbjelljes së grurit me 474 euro për hektar, apo 216 për qind më shumë se vitin e kaluar, kemi rritur subvencionin për dëmet për disa kultura bujqësore...Kemi një rritje të sipërfaqes me 15 për qind të drithërave të bardha, kjo për shkak të krizës, pas pandemisë e agresionit rus në Ukrainë”, tha ai.

Ministri Peci foli edhe për parashikimet rreth rendimenteve të grurit që priten këtë vit.

“Fillimisht janë pritur rendimente më të larta, por më vonë disa të reshura kanë ulur këto parashikime. Rendimentet priten të jenë nga 4.000 deri në 4.500 kilogramë, për një hektar”,tha ministri.

Nevojat e tregut në Kosovë, sipas ministrit Peci, do të përmbushën rreth 73 për qind, kjo edhe sipas vlerësimeve të ekspertëve. Nevojat e Kosovës janë për rreth 400 mijë ton grurë, kurse Kosova pritet të siguroi mbi 260 mijë ton grurë.

Zejnullahu: Ministria u vonua me subvencionet për grurin, vitin që shkoi

Shqipe Gashi /RTKlive

Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve foli lidhur me atë se a do të mund të kemi mbi 70 për qind nga prodhimi vendor i grurit, dhe sa do t’i mbulojmë nevojat tona me grurë.

“ Jam këtu në kuadër të përfaqësimit të mullisëve dhe jo të fermerëve, por  mbajmë evidencë për këtë se është më se etike për industrinë tonë që ne të kemi një lidhje të drejtpërdrejtë me fermerët, sepse ata janë prodhues të këtij produkti  dhe ne varemi prej prodhimit, i cili ndodhë në Kosovë”, tha Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve.

Tutje ai theksoi se forma e re e subvencionimit që ka ndodhur në Kosovë nga Ministria, ka qenë e vonuar për industrinë e grurit të vitit të kaluar, por sigurisht do të jetë shumë e rëndësishme këtë vit.

“Mendoj se qeveria e ka bërë një hap të rëndësishëm në rritjen e prodhimit të grurit për t’i mbuluar sa më shumë me prodhimet e tona dhe unë mendoj që sot jemi diku te 60 përqindëshi  edhe presim më shumë, siç e ceki ministri 73 për qind. Presim që me reformën e re të subvencionimit do të arrijmë në 80 për qind të furnizimit të nevojës së brendshme me grurë”, deklaroi, mes tjerash, Zejnullahu në "RTK PRIME".

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Mulaj: Rritja e çmimeve në masë është ë ndaluar me ligj

Shqipe Gashi /RTKlive

Ismet Mulaj, ish-ministër i MTI-së, në emisionin “RTK PRIME”, foli edhe për ngritjen e çmimeve pa ndonjë kontroll.

“Në këtë kohë Autoriteti i Konkurrencës nuk e di sa është efektiv, por rritja e çmimeve në masë në mënyrë të organizuar është e ndaluar me ligj. Rritje e çmimit në mënyrë të pakontrolluar, ka produkt që marzha e fitimit për tregtarin është mbi 130 për qind, ndërkohë që ka produkte që importohen dhe marzha e fitimit është 130 për qind. Shembull për katër muaj çmimi i bukës është rritur për 20 centë. Ka qenë 40 dhe është bërë 60 cent në Gjilan dhe në Pejë, derisa fermerët thonë që arsyeja nuk është mielli, pra ku është konkurrenca e lirë”, theksoi Ismet Mulaj, ish-ministër i MTI-së.

Më tej ai sqaroi se me dhjetëra e dhjetëra produkte ka në industrinë ushqimore, pra produkte që importohen e që marzha e fitimit është mbi 50 deri në 130, bile deri në 150 për qind dhe deri më sot Autoriteti i Konkurrencës nuk ka nxjerrë ndonjë hetim konkret, as për industrinë e naftës, as për atë të ushqimit dhe as për industritë tjera.

Tutje, ish-ministri Mulaj theksoi se po bëhen manipulime të mëdha ndaj konsumatorit për produktet ushqimore, për lirimin e tyre me përqindje të larta.

“Askush nuk i kontrollon lojërat shpërblyes të bizneseve a janë manipulative. Kudo që shkojmë nëpër markete ta japin një numër dhe të thotë shko hidhe atje nuk i kontrollon askush, mandej ke promocion marketing me zbritje deri në shtatëdhjetë për qind, kur hyn në dyqane i ka vetëm dy produkte me zbritje 70 për qind, derisa tjerat janë me të njëjtin çmime dmth qysh kanë qenë, pra është një treg i parregulluar, treg i paorganizuar, treg i pamonitoruar’, tha, mes tjerash, ish-ministri i MTI-së Ismet Mulaj.


APR
Romay Lift