Kosova e Italia me bashkëpunim në fushën e sigurisë
B. Halimi / RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim zëvëndësdrejtorin e Policisë së Italisë, Vittorio Rizzi dhe delegacionin e tij.
Në këtë takim ministri Sveçla e njoftoi mysafirin nga Italia për përkushtimin dhe angazhimet e ministrisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe kontrabandës, reformën në ministri dhe në agjencitë e saj ekzekutive, njofton Ministria e Brendshme. Gjithashtu gjatë këtij takimi Sveçla e falënderoi Rizzin për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës e në veçanti bashkëpunimin mes policive të dy shteteve.
Në anën tjetër, Rizzi theksoi se shteti i tij është i interesuar që të avancojë tutje bashkëpunimin mes Policisë së Italisë dhe Policisë së Kosovës dhe të koordinojë veprime të përbashkëta, me theks të veçantë tek ndërtimi i kapaciteteve në fushën e sigurisë mes dy vendeve. Në fund të takimi të dy palët u dakorduan në intensifikimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm të policive, veçanërisht në fushat të cilat kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar për ofrimin e sigurisë në rajon dhe më gjerë.























