Dështon votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore, mungon kuorumi
Lajme

Dështon votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore, mungon kuorumi

Blerim Halimi /RTKlive

Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur ta votojë në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme për shkak të mungesës së kuorumit.

Kjo nuk është hera e parë që Kuvendi dështon të miratojë projektligje në mungesë kuorumi. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka bërë të ditur se për këtë pikë të rendit të ditës nga 65 deputetë të pranishëm vetëm 45 deputetë kanë marrë pjesë në votim. Si rrjedhojë është konstatuar se nuk ka kuorum për miratimin e këtij projektligji.

Partitë opozitare kanë kërkuar që ky projektligj të tërhiqet nga votimi, teksa edhe shoqëria civile pas vërejtjeve nga Komisioni i Venecias ka kërkuar që gjithçka rreth këtij ligji të kthehet në pikën zero.

Haxhiu: Reformë në drejtësi dhe sundim të rendit dhe ligjit

(E plotësuar) Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha para deputetëve të Kuvendit se kanë qëllim reformën në drejtësi dhe sundim të rendit dhe ligjit.

“Kur kemi marrë mbështetje prej qytetarëve të Kosovës, dy prej arsyeve tona kanë qenë: Çështja e drejtësisë dhe ajo e punësimit. Kur flasim për drejtësi përveç që nënkupton reforma në drejtësi për të cilën jemi duke punuar është edhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ajo, raporton RTKlive.

Sipas saj edhe para qytetarëve e kanë prezantuar këtë në fushatën zgjedhore dhe në të ka qenë e përfshirë edhe themelimi i Byrosë dhe ky ka qenë zotim ndaj qytetarëve të Kosovës.

Haxhiu tha se do të kishte ndaluar me ligj që një person nga institucionet e drejtësisë të kalojë menjëherë në parti politike. Ajo ka përmendur edhe Rezolutën e KE-së për respektim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Nagavci: MASHT-i është i fokusuar në zhvillimin e materialeve mësimore

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ministria që ajo drejton është e fokusuar që t’i ndjekë zhvillimet dhe ndryshimet teknologjike kur janë në pyetje tekstet shkollore.

“Sfidat në arsim profesional janë të shumta dhe shumë dimensionale. Edhe te arsimi profesional, ashtu sikurse në të gjitha nivelet e arsimit tekstet shkollore janë një nga burimet e mësimdhënies dhe është e vërtetë se ato vazhdojnë të jenë burimi kryesor i mësimdhënësve tonë. Tekstet shkollore kanë kosto shumë të lartë sepse ne duhet të bëjmë përpjekje t’i ndjekim zhvillimet dhe ndryshimet e vazhdueshme në teknologji. Andaj në këtë drejtim MASHTI do të fokusohet më shumë në zhvillimin e materialeve mësimore, që do të jenë si mjete të punës  dhe si burim i informatave si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit. Qasja e MASHT-it është që të zhvillohen materialet mësimore si një paketë bashkë me kurrikulat e rishikuara”, ka theksuar Nagavci, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Mirlinda Tishukaj Sadiku se a do të ketë në të ardhmen tekste shkollore për profile të caktuara në shkollat profesionale. 

Deliu-Kodra ia kërkon shkarkimin; Aliu: Do të bashkëpunojmë me Prokurorinë

(E plotësuar) Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësit të tij, Hysen Durmishi, pasi sipas saj auditori ka konfirmuar pretendimet e PDK-së për afera korruptive në këtë ministri.

Megjithatë, pohimeve të deputetës opozitare iu ka përgjigjur ministri Aliu. Ai ka thënë se raportin e Auditorit të Brendshëm e kanë marrë me seriozitet, teksa dyshimet për parregullsi i kanë marrë nga ankesat e operatorëve.

“Ankesat kanë qenë të bazuara dhe këtë raport të Auditimit e kam iniciuar vetë bashkë me zëvendësministrin”, ka thënë Aliu.

Ai ka thënë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe raporti i auditimit ka treguar që ka parregullsi.

“Jemi të vendosur ta dërgojmë këtë punë deri në fund dhe e ftojmë Prokurorinë dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Për të gjitha projektet do të bëjmë auditim. Janë parregullsi që nuk i kap logjika e një inxhinieri apo një zyrtari normal, por ja që kanë ndodh dhe ne duhet të merremi sepse duhet me vendos rend”, ka shtuar ministri Aliu.

Dreshaj kërkon që Rugova të shpallet komunë turistike

Rugova të shpallet komunë turistike. Kjo ka qenë kërkesa e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në seancën e sotme të Kuvendit.

Gjatë fjalimit të tij, Dreshaj u shpreh i zhgënjyer me faktin që dora e shtetit në këtë rajon ka qenë ndëshkuese që nga viti 2012, teksa tha se edhe bizneset po vuajnë për shkak të mospajisjes me leje ndërtimi. “Çka bëri shteti i Kosovës për këtë zonë? I mbylli shkollat dhe stacionet shëndetësore. Në mungesë të kushteve, rugovasit u detyruan të shpërngulen. Nga 2 mijë banorë rezidentë sa ishin në vitin 2000, sot janë vetëm 400. Të gjitha bizneset që janë ndërtuar në këtë zonë dhe paguajnë taksa të majme për vendin, janë gjysmëlegale. Pse ndodhi krejt kjo? Cili ligj e ruajti këtë pasuri kombëtare-shtetërore? Si deputet i kësaj treve, kërkoj që Rugova të shpallet komunë turistike dhe që prona private të shfrytëzohet sipas ligjeve në fuqi. Prona pyjore të menaxhohet bazuar në ligjet. Zonimi hapësinor po ashtu të bëhet në mënyrë korrekte”, ka theksuar Dreshaj.

Kuvendi i Kosovës sot në rend dite ka debatin për mosliberalizim të vizave, derisa ndër pikat tjera janë edhe shqyrtimi i dytë i Projekt-kodit Procedurës Penale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Shërbimin Sprovues të Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

 


MË SHUME NGA Lajme