Spasovski: Parandaluam një incident të përmasave të mëdha
Besnik Iseni/RTK/Shkup
Në ditën e pestë të protestave të opozitës maqedonase, disa prej protestuesve kanë hyrë në sheshin “Skеnderbeu” të Shkupit dhe janë përleshur me qytetarët shqiptarë. Në këtë incident ndëretnik janë hedhur gurë, shishe dhe janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Situata është qetësuar pas ndërhyrjes së forcave të rendit, të cilët kanë arrestuar edhe personin i cili gjuajti me armë zjarri. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski tha se është parandaluar një incident i përmasave të mëdha.
“Askujt nuk i lejohet që të përdor armë dhe të kërcënojë jetën e dikujt për atë bëj thirrje deri te qytetarët dhe te subjektet politike që të jenë të qetë në protesta", ka thënë Spasovski.
Nga BDI thonë se incidenti i djeshëm në Sheshin Skënderbeu është inskenim i partive opozitare.
“Këto deklarata të tilla vijnë nga partitë opozita dje ishit dëshmitarë të një incidenti të inskenuar nga aktivistë të VMRO-DPMNE-së, Levicës dhe Aleancës për të prodhuar incidente ndëretnike”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut
Nga Aleanca për Shqiptarët fajësojnë Qeverinë për mosmarrjen e masave për të mbrojtur pronat e shqiptarëve në Çarshi të Shkupit
"Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër provokimin e mbrëmshëm, skenarët e mbrëmshme që kishin për qëllim sulmin ndaj shqiptarëve të Shkupit, pronës së tyre dhe mungesën e sigurisë nga ana organeve të rendit", tha Arben Zeqiri, nga Aleanca për Shqiptarët
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një mbledhje të jashtëzakonshme e shqyrtoi propozimin francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes dhe të njëjtin e dërgoi për miratim në Kuvendin e Maqedonisë























