IKSHPK: Qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive
Muharrem Miftari/RTKlive
IKSHPK duke uruar festën e Kurban Bajramit, fton qytetarët që të vaksinohen dhe të kihet kujdes të shtuar në mjediset ku qëndrojnë, duke bartur maskat në mjediset e mbyllura.
“Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim. Fatkeqësisht sot janë raportuar tre raste të vdekjeve nga kjo sëmundje! Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga IKSHPK.
Tutje, IKSHPK njofton se është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik, andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.
Më tej, ky institucion shëndetësor njofton se me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët udhëzohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç; me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë.
MSh dhe IKSHPK, përmes kësaj komunikate, rekomandojnë qytetarët që, përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksininohen kundër COVID-19.























