MASHTI: Projektligj për përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore
Ardiana Hajzeri/RTK
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se Projektligji për tekstet shkollore i cili ka qenë për disa ditë në dëgjim publik, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore.
E njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë se ky projektligj do të sjellë shumë risi që do ta përmirësojnë cilësinë e teksteve.
Botimi i teksteve shkollore, vlerësimi dhe performansa e mësimdhënësve, pritet të përmirësohen me projektligjin e ri për tekstet shkollore. Kështu ka theksuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sipas të cilës, ky projektligj është i një rëndësie të madhe për përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore dhe performansës së mësimdhënësve.
“ Ky projektligj është shumë i rëndësishëm për arsye se ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore. Dhe njëkohësisht ngritjen e performanses të mësimdhënësve dhe përmirësimin e rezultateve të nxënësve”, deklaroi ministrja Nagavci
E, Rinor Qehaja, nga Instituti “ Edguard”, i cili është edhe anëtar i grupit punues për draftimin e projektligjit për tekstet shkollore, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se ky projektligj do të sjellë shumë risi, do të rrisë transparencën e procesit të vlerësimit dhe botimit dhe do të përmirësojë cilësinë e teksteve.
“ Projektligji për tekstet shkollore sjell shumë risi me shpresën që këto të kthehen në praktika të mira të zhvillimit, vlerësimit dhe botimit të teksteve shkollore. Përtej një transparence të rritur në proces të vlerësimit dhe botimit projektligji ka në thelb një kapacitet dhe përkrahje me të madhe për autorë dhe recensentë.”, tha Rinor Qehaja.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se gjetjet e Auditorit rreth përzgjedhjes dhe botimit të teksteve shkollore, janë shqetësuese.
Ajo shkruan se këto gjetje i ka dorëzuar në Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës. Nagavci i ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që këto gjetje të Auditorit të trajtohen me prioritet.























