Osmani: Të bashkuar kundër atyre që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë
Naser Mekolli /RTKlive.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 27 vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
Përmes një postimi në Twitter, presidentja Osmani ka shkruar se sot zemrat tona janë me të dashurit e tyre dhe se duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për të mohuar këtë mizori të tmerrshme.
"27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, kujtojmë 8,372 djemë e burra boshnjakë të vrarë pa mëshirë nga forcat serbe.
Sot, zemrat tona janë me familjet dhe të dashurit e tyre. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar kundër përpjekjeve për t'i minuar ose mohuar këto mizori të tmerrshme", ka shkruar Osmani.
Kurti: 27 vite dhimbje e mall nga gjenocidi i Srebrenicës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se, ajo çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. “Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre”.
“Kur Raphael Lemkin në librin e tij "Axis Rule in Occupied Europe" kishte përdorur termin GJENOCID për herë të parë, dyshoj të ketë konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit. Dyshoj shumë që kur Lemkin ka folur për gjenocidin, të ketë menduar që dikush në shekullin 21 do të arrijë të ndërtojë një narrativë të tërë diskutimi bazuar në mohimin e gjenocidit”, shkruan kryeministri.
Gjenocidi si fjalë, shton Kurti, nuk është zbuluar për t'u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë.
“Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar. E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre”, thotë Kurti.
Sipas kryeministrit, dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara.
“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia. Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi”, shkruan Ai.
Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, shton Kurti, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit.
“Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore”, shkruan Kurti.
























