KPK anulon konkursin për bashkëpunëtorë në Gjakovë, Pejë e Prizren
Emine Hoti /RTKlive
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se do të anulohet në tërësi konkursi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesionalë për prokuroritë themelore në Gjakovë, Pejë dhe Prizren duke e kthyer atë në pikën zero.
Kjo për shkak se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, dyshohet se ka shpërndarë pyetjet e testit.
Këshilli Prokurorial i Kosovës gjithashtu tha se pas kërkesës së U.D. Kryeprokurorit të Shtetit si autoritet kompetent dhe, në bazë të autorizimeve që ka, do t’i fillojë procedurat ligjore ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dyshimet e ngritura në media për shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesional nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala”, thuhet në reagimin e KPK-së.
U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit, në bazë të autorizimeve të tij, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj anëtarëve të komisionit të këtij procesi.
Prokuroria e Shtetit reagon për kryeprokurorin nga Gjakova
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka deklaruar se pas pranimit të informacionit lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Kryeprokuroria e Shtetit.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.























