S’ndalet Prishtina, transferon yllin e Malishevës
Fatmir Bytyqi /RTKlive
FC Prishtina vjen më një tjetër transferim.
Klubi më i madh në vendin tonë, sonte ka zyrtarizuar Hasan Hysenin, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e FC Malishevës.
Ai ishte një nga lojtarët më të mirë në skuadrën e Arsim Thaqit në edicionin e fundit.
Kryeqytetasit përmes një njoftimi, kanë konfirmuar marrëveshjen e arritur me Hysenin.
25-vjeçari, i cili është produkt i Trepçës '89, me Prishtinën ka firmosur kontratë tri-vjeçare.
Ai duke folur për faqen zyrtare të FC Prishtinës, ka treguar arsyen pse ka zgjedhur skuadrën bardhekaltër.
"Projekti që e ka bërë klubi dhe trajneri Ismet Munishi më kanë shtyrë që të bëhem pjesë e Prishtinës. Sigurisht se është ndjenjë shumë e mirë me qenë pjesë e klubit më të madh kosovar. Synimet personale janë që të paraqitem sa më mirë me ekipin e Prishtinës në mënyrë që t'i arrijmë objektivat e klubit. Tifozëve të Prishtinës mund t'u them se do ta jap maksimumin në arritjen e objektivave dhe ta sjellim titullin në kryeqytet. "Plisat" meritojnë trofe. Do ta bëjmë krenar të gjithë kryeqytetin.", ka thënë ai.























