Deputetët e VV-së mirëpresin bashkatdhetarët në ambientet e Kuvendit
Deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, mirëpritën të premten në ambientet e Kuvendit bashkatdhetarë të shumtë.
Sipas një njoftimi nga Vetëvendosje, me bashkatdhetarë u fol për të arriturat e deritanishme, agjendën dhe sfidat e legjislativit, si dhe për çështje që lidhen me mërgatën dhe zhvillimet në vendin tonë.
“Mërgata jonë që sidomos dy vitet e fundit na ka mbrojtur prej dy krizave të mëdha botërore, vazhdon të qëndrojë pranë vendlindjes, e përveç se t'i shërbej kur shfaqet nevoja, edhe t'i kaloj ditët e lira të pushimit në të dhe me më të dashurit e vet. Institucionet tona krahas mikpritjes kanë lehtësuar disa procedura dhe shërbime që lidhen me qëndrimin e tyre në Kosovë, por, e mira vështirë se mund t'i kthehet asaj, e as nuk mund të vihet si qëllim në vete. Ajo çfarë qeverisja e re ka filluar e që shënon një hap progresiv është bërja pjesë e tyre në secilin proces shtetndërtues e zhvillimor të vendin tonë. Mërgata si kapital financiar që investon në vendin e saj, dhe mërgata si kapital i dijes që përfshihet në shtetformimin dhe zhvillimin tonë, janë dy gjëra që siç është parë na shtyjnë më mirë e më shpejtë drejt zhvillimin që na duhet. Me një bashkëbisedim të ngrohtë sot hapëm pritjen për bashkatdhetarët tanë që këtë verë kanë zgjedhur Kosovën për pushimet e tyre”, thuhet në njoftim.























