VIDEO-Nuk përjashtohet mundësia për shtrenjtim të rrymës gjatë dimrit
Besjana Mulaj/RTK
Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që çmimi i energjisë elektrike mos të rritet. Gjatë takimit të sotëm ata thanëse ZRRE duhet ta zbatojë marrëveshjen e fundit për energjinë, sipas së cilës komunat me shumicë serbe ta paguajnë energjinë elektrike.
Zyrën e Rregullatorit të Energjisë elektrike e ka vizituar grupi parlamentar i AAK-së, të cilët kërkuan që çmimi i energjisë elektrike të mos ngrihet gjatë sezonit të dimrit. Ata thanë se qytetarët nuk mund ta përballojnë ndryshimin e tarifave.
“Elektroseveri ende nuk i ka dorëzua listat e konsumatorëve që duhet t’i ketë në posedim në mënyrë që me fillua inkasimi. E dyta ka të bëjë me tarifa. Si grup parlamentar e kemi kundërshtuar çfarëdo ngritje të energjisë. Qytetari i Kosovës më nuk ka mundësi me përballu një ngritje të energjisë. Ne si AAK do të vazhdojmë ta ballafaqojmë Qeverinë me kërkesa që janë në interes të qytetarit”, tha Besnik Tahiri nga AAK .
“Pyetja ime direkte ka qenë se si do përballemi me energjinë dimrit që po vjen sepse ka paralajmërime se do të jetë situate të vështirë. Kemi bisedua për të gjitha ato që na presin. ZRRE nuk mund me na sigurua që nuk do të ketë ngritje të çmimit”, tha Bekë Berisha.
Ndërsa kryeshefi i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu nuk e përjashtoi mundësinë e ngritjes së çmimit të rrymës.
“Ne kemi thënë se ato varen prej çmimeve të importit, meqenëse ato çmime varen nga bursa ndërkombëtare. Kurdo që përmbushen kërkesat ligjore, ende s?janë plotësuar për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tyre. Ne kemi përmbyllur një shqyrtim të jashtëzakonshëm në shkurt të këtij viti dhe kemi një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe po mundohemi njëjtë të jetë edhe vitin e ardhshëm. Me mundësinë që kemi me gjeneratorët vendorë, por edhe me mundësitë që kemi edhe rreth çmimeve dhe sasisë së importit në bazë të tregjeve regjionale”, tha Fejzullahu .
Lidhur me zbatimin e marrëveshjes së fundit për energjinë, nga ku u vendos që komunat me shumicë serbe të paguajnë energjinë elektrike, Fejzullahu tha se ZRRE ka kompetencë për dhënien e licencës për Elektroserver, ndërsa pikat e tjera u takojnë institucioneve tjera.























