Miratohet raporti financiar i RTK-së
Blerim Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Komisioni për Buxhet, Pune dhe Transfere ka miratuar raportin e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për tre mujorin e kaluar (prill-qershor) si dhe kërkesën buxhetore për shpenzimet për tre mujorin e ardhshëm (korrik-shtator).
RTK kërkon kthimin e kuotës prej 0.7 përqind të buxhetit të Kosovës
(E plotësuar) Ka përfunduar mbledhja e Komisionit për buxhet, punë dhe transfere ku është shqyrtuar projeksioni buxhetor i shpenzimeve të RTK-së për tremujorin korrik-shtator 2022.
Gjatë raportimit para deputetëve kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj kanë folur për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet si pasojë e keqmenaxhimit në të kaluarën, si dhe për reformat që pritet të fillojnë nga shtatori i këtij viti, me qëllim të organizimit sa më të mirë për të ardhmen.
Po ashtu, ata kërkuan kthimin e kuotës prej 0.7 përqind të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës për RTK-në dhe përkrahje për investimet e nevojshme teknologjike dhe për pasurim të programit.
Nga ana e tyre deputetët anëtarë të këtij komisioni kërkuan sqarime shtesë sa i përket planifikimeve buxhetore si dhe kërkuan nga drejtuesit e RTK-së që në të ardhmen projeksionet buxhetore të jenë të saktësuara, si dhe të vijnë me propozim konkret sa i përket mënyrës së parapagimit për RTK-në.
Ahmetxhekaj: Në shtator fillon reforma e thellë në RTK
Komisioni për buxhet, punë dhe transfere po shqyrton planifikimin e shpenzimeve të RTK-së për periudhën korrik-shtator 2022.
Gjatë raportimit para komisionit, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka thënë se edhe për këtë periudhë janë munduar të vazhdojnë me logjikën e mirë të menaxhimit, ku si rrjedhojë sipas tij tremujorëshi i kaluar është përmbyllur me plus 67 mijë euro, por ka pranuar se shqetësuese mbetet fakti se rreth 87 përqind e buxhetit shkon në paga të punëtorëve.
Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë se RTK ka ende 1.6 milionë borxhe të trashëguara, por ka thënë se për këtë çështje do të marrim një vendim dhe do të kërkojnë edhe ndihmën e Kuvendit. “Është e vërtetë se ne do të duhej t’i paguanim këto borxhe, por ne jemi duke funksionuar me buxhet emergjent. Këtë vit do të kemi mundësi të planifikojmë më mirë buxhetin për vitin tjetër. Për momentin nuk mund t’i paguajmë borxhet sepse nuk mund të jemi selektiv, por do të bëjmë marrëveshje me të gjithë për t’i paguar”, ka theksuar Ahmetxhekaj.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj e ka vlerësuar shqetësuese që një përqindje aq e madhe e buxhetit shkon në paga dhe ka pyetur se cili është vizioni i Bordit të RTK-së për t’i ulur shpenzimet në paga, në mënyrë që të investohet në teknologji dhe program të RTK-së.
Sa i përket kësaj çështje, kryetari i Bordit dhe drejtori i përgjithshëm kanë thënë se shumë shpejt do të fillojë reforma e plotë në RTK. “Sa i përket shpenzimeve për paga është një gjë shqetësuese dhe është pasojë e ndikimeve politike, pasi janë punësuar njerëz pa kurrëfarë analize. Në një të ardhme shumë të afërt diku kah shtatori, do ta bëjmë një riogranizim të plotë të RTK-së. Qëllimi ynë është të shkojmë me një riorganizim të plotë që është i lejuar ligjërisht. Niveli i pagave duhet të jetë 40 – 50 përqind të buxhetit. RTK punon në kushte elementare dhe kjo si pasojë e keqmenaxhimit në të kaluarën. Kemi mungesa të pajisjeeve elementare. Ne kemi bërë një skanim të situatës dhe shpresoj të marrim përkrahje nga ju. Në RTK kemi një organogram që i përngjan një ushtrie, ku janë shpikur pozita vetëm për të marrë një pagë“, ka thënë Boletini.
Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë se procesi reformues do të sjellë rigoranizim të plotë të RTK-së.
“Në shtator kemi reformën e thellë në RTK. Sigurisht se nuk do të jetë një proces një javor, por do të kemi tre muaj në dispozicion. Në këto momente nuk mund të them se a do të ketë shkurtime apo largime. Se si do ta organizojmë mbetet të shihet. Ne po ashtu do të kërkojmë që të respektohet Ligji i RTK-së që buxheti të jetë 0.7 përqind e buxhetit total të Kosovës. Kjo do të na mundësojë që përfundimisht të fillojmë të investojmë në program dhe teknologji. Ne kemi nevojë për para shtesë. Vetëm RTK në dallim me televizionet publike të rajonit funksionin me rreth 10 milionë euro buxhet. Reforma është e nevojshme, por njëkohësisht do të kërkojmë që të respektohet Ligji i RTK-së”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Deputetët kanë parashtruar pyetje të ndryshme sa i përket buxhetit, investimeve dhe si çështjeve të tjera me interes rreth RTK-së.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së të reflektojë në mënyrë që spotet ‘Liria ka emër’ që u kushtohen ish-krerëve të UÇK-së që janë të akuzuar në Gjykatën Speciale të rikthehen në ‘prime-time’.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka thënë se ato spote vazhdojnë të transmetohen, por periudha kohore e emitimit të tyre varet edhe nga spotet e marketingut, duke qenë se RTK është në vështirësi financiare dhe ka nevojë për sa më shumë marketing. ”Drejtori i përgjithshëm i ka takuar disa nga personat që janë pjesë e organizimit ‘Liria ka emër’ dhe e di se jemi duke i pritur disa spote të gatshme nga kjo organizatë“, ka thënë Boletini.























