Szunyog: Shpresoj që udhëheqja e re ta sjellë RTK-në në nivel tjetër
Qëndresa Duraku / RTK
Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, ka vizituar sot Radio Televizionin e Kosovës, me ç`rast është pritur nga menaxhmenti dhe anëtarët e Bordit të RTK-së.
Szunyog, pas takimit tha se në RTK po sheh zhvillim pozitiv. Ai potencoi faktin se liria e medieve dhe pozita e fuqishme e transmetuesit publik janë shumë të rëndësishme për demokracinë e Kosovës.
"Kam shpresa të mëdha se menaxhmenti dhe bordi i ri do ta sjellin RTK-në në një nivel tjetër. Janë disa çështje të cilat janë kombinim nga e kaluara, por ne do ta ndihmojmë RTK-në sepse ne mendojnë se liria e mediave dhe pozita e fuqishme e transmetuesit publik janë shumë të rëndësishme për demokracinë e Kosovës dhe mbi të gjitha është një nga pjesët më të rëndësishëm të procesit të ri integrues", ka theksuar Tomas Szunyog.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, krahas reformave që pritet të nisin nga shtatori në RTK, tha se në këtë proces është e rëndësishme edhe ndihma e partnerëve.
"Për ne është shumë e rëndësishme që në këtë proces mos të jemi vetëm por të kemi ndihmën edhe të partnerëve. Do të kemi nevojë për ekspertizë sepse po synojmë ta kthejmë RTK-në në një transmetues vërtetë publik, që i kthehet publikut me të gjitha dimensionet e saj. Prandaj, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme kjo vizitë dhe konsideroj që ne duhet të vazhdojmë të komunikojmë me partnerët tanë strategjik që në këtë proces të reformave por edhe përcaktimit të pronës dhe po ashtu edhe të financimit të qëndrueshëm të RTK-së ta kemi ndihmën e secilit", ka thënë Ahmetxhekaj.
Shefi i BE-së në Kosovë, me këtë rast ka vizituar edhe hapësirat e punës në Radiotelevizionin e Kosovës.

























