Meta: Shqipëria e Kosova kanë nevojë për partneritet e jo për patronalizëm
Blerim Halimi / RTKlive
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet për vizitë në Kosovë, në përmbyllje të mandatit të tij pesëvjeçar, gjatë adresimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se qysh në vizitën e tij të parë në vitin 2000, atëherë në rolin e kryeministrit, kishte theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kanë nevojë për partneritet e jo për patronalizëm.
“Që nga ajo kohë kanë ndodhur zhvillime shumë madhore që nga pavarësia e Kosovës dhe njohja ndërkombëtare e saj. Sot do të ishte edhe më absurde të pretendohej për patronalizëm në marrëdhëniet tona, kur shteti i ri i Kosovës është shembull në shumë drejtime dhe për shumë vende të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë”, ka theksuar Meta.
Ai ka thënë se sot paraqitet para të zgjedhurve të popullit të Kosovës si 'një njeri që i ka qëndruar besnik kësaj filozofie partneriteti dhe bashkëpunimi me vepra dhe jo me fjalë, duke e mbajtur gjithmonë derën e hapur ndaj çdo qytetari e përfaqësuesi të Kosovës pa dallim, me dëshirën që marrëdhëniet e dy vendeve të jenë vëllazërore dhe strategjike në mënyrën më kuptimplotë'.
“Gjithçka e lidh Shqipërinë me Kosovën; tërësia identitare, historia, gjuha, kultura, besimi, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva evropiane dhe euroatlantike.
Kjo lidhje e pandashme Shqipëri-Kosovë i ka rrënjët te gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime të etërve të kombit dhe heronjve tanë më të lavdishëm; nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu te Adem Jashari, nga Ismail Qemajli te Ibrahim Rugova”, ka shtuar Meta.
Tutje presidenti shqiptar ka theksuar se forca ripërtëritëse e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve qëndron gjithmonë tek njerëzit andej e këndej kufirit.
“Ata e kanë mbrojtur përbashkësinë e të shkuares, ata e mbajnë gjallë të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ndaj ky vullnet i patjetërsueshëm kërkon një devotshmëri edhe më të madhe politike për të bashkëpunuar më suksesshëm në të gjitha nivelet e të gjitha rrafshet”, ka nënvizuar Meta.
Tutje presidenti në largim i Shqipërisë, ka thënë se vendi i tij i mbështet fuqimisht përpjekjet që edhe Kosova të jetë anëtare e NATO-s, dhe se Shqipëria ka hapësirë për ta forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria i ka mundësitë dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Si vend anëtar i NATO-s, anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, si vend që sapo nisi negociatat e anëtarësimit në BE, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet në dobi të forcimi të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Meta gjatë këtij adresimi kërkoi që Kosovës t’i hiqet sa më parë regjimi i vizave, duke thënë shtetet që nuk e kanë njohur ende atë duhet të binden për ta bërë një gjë të tillë, pasi Kosova është rast suigeneris.
Ai kërkojë që edhe procesi i dialogut me Serbinë që të shkojë përpara dhe të arrihet njohja e ndërsjellë, teksa foli edhe për rëndësinë që lufta e UÇK-së të mbetet e panjollosur.
“Të krenohemi për lirinë dhe pavarësinë, por të qëndrojmë më vigjilentë ndaj rreziqeve të reja që na kanosen. Historia na e jep çdo të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK-së, por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur siç e meriton. Të mbështesim kauzën heroike të luftëtarëve për tu mbrojtur dhe çliruar nga gjenocidi. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do triumfojnë mbi çdo tentative të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima dhe viktimat në agresorë. Kosova është jo vetëm faktor paqeje, sigurie, stabiliteti por edhe demokratizimi dhe evropianizimi në rajon”, ka deklaruar Meta.























