Meta: Unifikimi i vendimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës i domosdoshëm(Video)
BKT
Foto / RTK
Lajme

Meta: Unifikimi i vendimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës i domosdoshëm(Video)

Shqipe Gashi/RTKlive

Sonte në emisionin Prime në RTK ishte i ftuar presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, i cili po e përmbyll mandatin e presidentit me vizitën dyditore në Kosovë.

Presidenti Meta në mes tjerash në RTK foli për miratimin e Rezolutës kundër raportit të Dick Martyt, domosdoshmërinë e unifikimit përbrenda Shqipërisë, por edhe mes Shqipërisë e Kosovës, figurën e ish-presidentit Sali Berisha, por edhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së dhe të luftës çlirimtare të Kosovës.

“Mendoj që në Shqipëri ka nevojë brenda përbrenda vetë Shqipërisë për një unifikim më të madh të qëndrimeve, për sa u takon marrëdhënieve tona me Kosovën, ka nevojë për një unifikim më të  mirë të qëndrimeve midis autoriteteve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Është arritje që kemi në disa vende edhe konsullata të përbashkëta, edhe sportele të përbashkëta për t’u shërbyer qytetarëve. Por, është shumë e rëndësishme që të koordinohemi në çdo iniciativë, sidomos në ato rajonale për të forcuar pozitën e njëri-tjetrit, jo thjeshtë për të  dobësuar pozitën e dikujt tjetër, por për të përforcuar gjithë frymën e bashkëpunimit dhe të evropianizimit  të këti rajoni, e cila mund të jetë e tillë vetëm kur bazohet në disa parime të shëndetshme demokratike të partneritetit dhe interesit reciprok”, ka thënë Meta.

I pyetur për akuzat që kanë ndodhur mes liderëve të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës,  Meta ka theksuar se ato kanë qenë dhe janë të panevojshme.

 “Besoj që kanë qenë totoalisht të panevojshme ato që kanë ndodhur dhe që ju e përmendët,  por edhe shumë raste të tjera. Shqipëria e ka detyrim kushtetues,  që ta ketë parësor interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që ata janë, në gjithë politikën e saj  të jashtme dhe unë mendoj që ne duhet të ecim në këtë rrugë që ka qenë një traditë e konsoliduar në Shqipëri në të kaluarën, pavarësisht a kanë qenë qeveri të majta të djathta apo të ndryshme të  alternuara. Në vendin tonë këmi pasur disa probleme me zgjidhjet vendore dhe probleme edhe të demokracicë që edhe e kanë vonuar procesin e hapjes së negociatave që për fat të mirë ndodhi, edhe pse me shumë vonesë. Shqipëria ka pasur mjaft probleme të brendshme deri më 25 prill pra në zgjedhjet e fundit dhe ende ka disa probleme deri sa të rivendoset në shinat e  kushtetushmërisë të një demokracie funksionale  të mekanizmave të kontrollit të balanceve të pushteteve, në disa raste Kosova edhe pse shtet i ri ka arritur një progres shumë pozitiv, sidomos sa i takon demokracisë, sa i takon zgjidhjes së problemeve të prekshme përmes votës së qytetarëve për sa i takon standardit të zgjedhjeve, pranimit të tyre nga të gjithë forcat e tyre,dhe unë mendoj që edhe Shqipëria do t’i rifitojë ato kredencialet demokratike në një të ardhme të afërt. Kosova ka një pozitë nderkombëtare shumë të mirë, janë ato probleme që i dimë dhe në fund të fundit gëzon mbështetjen e shumë vendeve të Bashkimit Evropian edhe ato vende që nuk e njohin por tregojnë mirëkuptim për shumë aspekte, ato  kanë probleme të tyre të brendshme dhe besoj që në një moment  të favorshëm të ketë një reflektim sa më të shpejtë dhe për këtë do të duhet punë”, tha ai.

Meta: Berisha ka një meritë historike për rrugën e kombit

Sa i përket lajmit të fundit të shpalljes non grata të ish-presidentiti Sali Berisha, Meta nuk deshi të fliste më shumë, por vlerësoi rolin e tij historik edhe në raport me Kosovën.

“Nuk do të doja të hyja në një çështje të tillë gjatë kësaj vizite, sepse jam ende president i Republikës së Shqipërisë dhe jam në kuadër të  një vizite zyrtare  në Republikën e Kosovës. Nga e hëna e tutje do të jem më i hapur edhe për pyetje të tilla. Ajo që mund të them meqenëse jam në Kosovë,  është që z. Berisha është një lider që ka lënë gjurmë të thella në historinë e shqiptarëve në përgjithësi dhe të marrëdhenieve me Kosovën dhe pa dyshim ka qenë ndër mbrojtësit kryesorë  të çështjes shqiptare dhe të çështjes së Kosovës që në fillimet e demokracisë në Shqipëri. Dihet edhe raporti i tij që ka pasur me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës, dihet edhe që ka pasur një krizë për shkak të zhvillimeve të viteve 96 -97 ashtu sikur që dihet që më pas në vitin 2007 ose më parë presidenti Bush vizitoi Shqipërinë dhe në krah të tij tha se është koha për pavarësinë e Kosovës. Nuk mendoj që këto zhvillime kanë ndonjë rëndesi të jashtëzakonshme në atë që ne mendojmë për zotëri Berishën, qytetarët shqiptarë mendojnë për z. Berisha ose qytetarët e Kosovës çfarë mendojnë për z. Berisha. Jemi në demokraci dhe  natyrisht jo të gjithë ndajnë  gjithmonë të njëjtat mendime dhe kjo është pozitive, por mund të them se ne kemi ardhur dje dhe nga Shqipëria në Kosovë dhe erdhëm aq shpejt dhe pa dyshim mendoj që ai ka një meritë historike për rrugën e kombit” ka thënë Meta.

Ndërsa për qasjen e kryeministrit Rama për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë tha se qëndrimi i Shqipërisë duhet të jetë i pandryshueshëm,

“Tani unë kam pasur dhe e kam një qasje shumë të qartë, Kosova është ajo që është shpallur e pavarur prej 14 vitesh, është ajo që e ka  konfirmuar Gjykata Nderkombëtare e Drejtësisë, është një vend model për sa i përket  respektimit të pakicave, është model kur ka ndonjë problem dhe në këtë drejtim qëndrimi im ka qenë dhe mbetet gjithmonë ai që qëndrimi i Shqipërisë dhe i Parlamentit të Shqipërisë -  gjithmonë këto historitë me ndryshime kufijshë e me aventura tjera,  këto nuk kanë qenë as nuk janë kurrë në interesin e shqiptarëve në përgjithësi e as ardhmes evropiane të rajonit  dihet se kush i ka pasur ato emra dhe kush i ka" u shprehë ai  .

Ballkanin e hapur, presidenti Meta e vlerësoi si iniciativë joserioze dhe të panevojshme

“Nuk është thjeshtë një refuzim kategorik nga Kosova, mendoj që është një iniciativë e tepërt, e panevojshme dhe e paqartë përderisa ka ndryshuar tri herë emrin për të ardhur deri te Ballkani i hapur që e ka tash. Por, kështu kemi iniciativa tjera shumë më solide ku  duhet të përqendrohemi, që kanë edhe një  lidershqip të qartë evropjan, kanë edhe intrumenta financiare në mbështetje të tyre siç është Procesi i i Berlinit dhe që janë të gjithë të barabartë dhe nuk është problemi se ka thjeshtë rezerva Kosova,  për këtë çështje mendoj që kjo është një përpjekje për ta portetitzuar Kosovën ndërkombëtarisht si një problem në Ballkanë dhe për të faktorizuar të tjerë që nuk e meritojnë. Për arsye se rezerva ka edhe presidenti i Maqedonisë, ai i Malit të Zi pa dyshim edhe ai në Bosne e Hercegovinë. Atëhere kujt i duhet një iniciativë që krijon përçarje apo që kërkon ta vë Kosovën përpara faktit të kryer. Kjo iniciativë nuk është diskutuar as me presidentin e Shqipërisë as me opozitën me sa di unë” tha presidenti Meta.

Sa i përket Gjykatës Speciale dhe mbajtjes së krerëve të UÇK-së atje, presidenti Meta vlerësoi se që nga krijimi ajo ishte një kompromis i padrejtë dhe pafajësia e tyre është e pa diskutueshme dhe çështje kohe.

“Nuk do të doja të hyja shumë në këtë çështje, që kur u krijua ishte një kompromis, që e bëri edhe Kosova edhe instutcionet e saj, po e bëjnë edhe miqtë dhe aleatët tonë më të mirë në përkrahjen për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Ajo që është e rëndësishme është të bëjmë gjthçka si Kosovë dhe si Shqipëri, si dy vende mike për të mbështetur ish-drejtuesit e Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë situatë, duke ofruar të gjitha garancitë e nevojshme që ky proces të ndiqet në një mënyrë sa më demokratike, pasi që kemi të bëjmë me personalitete publike të provuara, të vërtetuara që nuk kanë asnjë arsye t’i ikin drejtësisë dhe përse mos të gjykohen në kushte apo rrethana tjera. Por, ajo që unë dua të theksoj është se unë kam besim të plotë në pafajësinë e tyre dhe kjo do të jetë një çështje kohe” , tha ai .


MË SHUME NGA Lajme