Kurti në katërvjetorin e vdekjes së Demaçit: Ishte veprimtari më unik
BKT
Lajme

Kurti në katërvjetorin e vdekjes së Demaçit: Ishte veprimtari më unik

Elmina Osmani/ RTK

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka përkujtuar në katërvjetorin e vdekjes veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se Adem Demaçi është sinonim i qendresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët.

“Ai ishte veprimtari më unik dhe më autentik. Idealisti që qëndroi 28 vjet në burgjet gjithandej ish-Jugosllavisë. Dy prej tyre, Pozharevcin e Nishin, dhjetëfish më pak në kohëzgjatje, do t’i përjetoja edhe unë, pasi isha arrestuar nga policia serbe, ndër tjera edhe si bashkëpunëtor i Adem Demaçit. Aty pashë vendet ku Baca Adem ishte kalitur politikisht, shpirtërisht e fizikisht, duke kujtuar rrëfimet e dëgjuara prej tij për vitet e shumta kaluara në ato burgje", ka shkruar Kurti. 

Tutje ai ka theksuar se më 1997 Baca Adem mbështeti protestat e organizuara nga studentët e Universitetit të Prishtinës, derisa pas shpërthimit të luftës, më 13 gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e emëroi Adem Demaçin përfaqësues politik të UÇK-së.

"Këtu pata fatin t’i bashkohem në zyrën e tij në Prishtinë, në lagjen Tophane, si sekretar i tij, për mbi gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe, ai afirmoi e mbrojti politikisht UÇK-në në mes të Prishtinës, duke takuar diplomatë ndërkombëtarë dhe mbajtur konferenca për media, si zë i një force politike dhe ushtarake që luftohej nga Serbia. Edhe në lirinë e pasluftës, Adem Demaçi vazhdoi të ishte busull i lirisë. Ky njeri që 28 vjet të jetës i kishte kaluar pa liri, ishte mishëruar me lirinë deri në një nivel ontologjik. Duke e jetuar personalisht fatin kolektiv dhe historik të popullit të tij, Adem Demaçi, ky lexues në kushte burgu i Hegelit, e kishte trupëzuar historinë e shqiptarëve fiks siç kishte shkruar Hegeli, që “historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri”. Ai qe fibri më i ndjeshëm i lirisë sonë, derisa vdiq më 26 korrik 2018 në Prishtinë, sot e 4 vjet më parë”, ka nënvizuar Kurti.

Kryeministri shtoi se ata që për shkak të rrethanave nuk kanë mundur ta njohin në të gjallë Adem Demaçin bashkë me veprën e tij, rruga më e mirë për ta bërë është duke lexuar romanin e tij autobiografik “Dashuria kuantike e filanit”.

“Në të, siç ka thënë vetë Baca Adem: “Rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për të mirën e vet dhe se si pushtuesit serbë më kalitën e më farkuan për sherrin e për të zezën e vet.” Kurse ata që ndjehen të frymëzuar nga jeta dhe vepra e tij, mund ta ndjekin atë përmes gjurmëve të idealeve të lëna pas, nga formimi patriotik te konsistenca politike dhe nga besimi stoik te qëndrimet humane. Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit dhe gjithë trashëgimisë së tij politike, kulturore dhe historike”, ka theksuar Kurti.

Kryeparlamentari Konjufca bëri homazhe te varri i Adem Demaçit

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Ilir Kërçeli, sot, në përvjetorin e katërt të ndarjes nga jeta, bëri homazhe dhe vendosi lule te varri i veprimtarit dhe simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi.

Adem Demaçi shquhet si njëri ndër luftëtarët e paepur të kauzës kombëtare dhe njëherësh frymëzues i shumë gjeneratave në përpjekjet për të drejta, liri dhe pavarësi, njofton zyra e kryeparlamentarit.

Për veprimtarinë dhe qëndresën e tij, u nderua me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë Çmimin "Sakharov" nga Parlamenti Evropian.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi bëri homazhe te varri i Adem Demaçit

(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në 4 vjetorin e vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Adem Demaçit, ka bërë homazhe te varri i tij, duke e cilësuar Demaçin si Të Pathyeshmin e Kombit shqiptar.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, duke e shtjelluar figurën emblematike të Demaçit sipas teorisë “Karakteri është fuqi”, të autorit amerikan, Booker T. Washington, është shpehur se Adem Demaçi ishte artikulimi më i lartë i mendimit e vizionit të lirisë, guximtar, vetmohues, paqësor dhe simbol i rezistencës, i cili arriti të jetë i pranishëm kudo dhe të çdokush, përtej nivelit normal ose fizik.

“Këto gjashtë virtyte që përbëjnë karakterin optimal të një njeriu të jashtëzakonshëm, me të drejtë dhe meritë ngrisin Bacën Adem në piedestalin e një figure shembullore, që përmes shembullit e jo urdhërave, punës e jo fjalëve, sakrificës e jo ikjes, qëndresës e asnjëherë dorëzimit, guximit e kurrë frikës, të cilin do ta përkujtojmë përjetësisht me nderimet më të larta shpirtërore e njerëzore. Faleminderit për shembullin e sakrificën, kryengritësi ynë i papërsëritshëm”, shkruan lideri i PDK-së.

"Nëse flasim për virtytin e parë, mençurinë dhe diturinë, Adem Demaçi, i cili u botua kur ishte vetëm 22 vjeç, qysh herët e përdori atë për t’u pozicionuar përjetësisht në një kauzë, e cila, përtej gjithçkaje, ishte artikulimi më i lartë i mendimit e vizionit - Lirinë e popullit të tij! Nëse flasim për guximin – të gjitha i tregon fotografia e bashkëngjitur. Mënyrën se si ai ka jetuar, pa frikë, gjithmonë i gatshëm dhe vullnetar për të thënë atë që mendon e për të bërë atë që askush tjetër nuk guxonte, pavarësisht pasojave", shkruar ai.

Sipas tij nëse flasim për njerëzinë – Adem Demaçi, njeriu i drejtë, fituesi i Çmimit “Saharov”, nuk kishte armiq e as nuk ishte në luftë me askënd. Ai, më shumë se sa për vete, kërkonte lirinë për popullin e tij.

"Një altruist i pashoq, i cili, për vendin dhe popullin e tij, një të tretën e jetës e kaloi në vetmi. Më 14 dhjetor 1995, Bacës Adem i është dhënë çmimi ‘Leo Eitinger’ për të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Oslos. Nëse flasim drejtësinë – si tjetër virtyt i lartë i një karakteri të fortë, Baca Adem nuk priti asnjëherë asgjë prej askujt. Drejtësisë, në mënyrën që ai e njihte dhe e cila e dinte se herët ose vonë do të vij edhe për të dhe Kosovën, ia kushtoi një jetë me aktivitet. “Unë jam kundër idesë së hakmarrjes, sepse kam mjaft hesape për të zgjidhur, por nuk dua t’i zgjidh. Unë dua t’ia kthej shpinën hakmarrjes”, thoshte baca Adem. I nominuar për çmimin Nobel për Paqe, në shtator të vitit 1994 nga pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë. Nëse flasim për qëndrueshmërinë – 28 vjet burg padrejtësie, por asnjëherë nuk u thye. Kokën lartë, mendjen e freskët e fjalët gjithmonë të gatshme për të shpuar një sistem të tërë diktatorial, respresiv e kriminal. Me meritë, në historinë e vendit tonë, Adem Demaçi do të njihet përgjithmonë si “Simboli i Rezistencës Kombëtare”!", ka shkruar ai.
 



Shoqata e të Burgosurve Politikë, homazhe te varri i Demaçit

(E Plotësuar) Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ka bërë homazhe pranë varrit të veprimtarit, Adem Demaçi në përvjetorin e vdekjes tij.

Në emër të të burgosurve politikë, foli Selatin Novosella i cili tha se ky përvjetor i ka bashkuar sot të gjithë ish të burgosurit e duhet ti bashkojë gjithmonë.

“Ne shqiptarët kemi nevojë për jetë e mot për shembullin, Adem Demaçi. Lum ne që jetuam në epokën Adem Demaçi. Lavdi” ka thënë Novosella.

Homazhe pranë varrit të veprimtarit Demaçi ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Homazhe janë bërë edhe te Sheshi “Adem Demaçi”, në Prishtinë.

 

Përurohet libri “Libri i burgosur-gjarpinjtë e gjakut”

 

Me rastin e shënimit të përvjetorit të vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ka përuruar librin “Libri i burgosur-gjarpinjtë e gjakut”, të autorit Selatin Novosella.

Autori, Novosella tha se ky libër ka grumbullime të 36 recensioneve për Adem Demaçin dhe se ka zgjatur prej vitit 1994.

Fjalë të mëdha për jetën dhe veprën e Adem Demaçit shprehen edhe redaktori i librit, Begzat Baliu dhe lektori, Adem Nimani.

Në orën 12:00 do të realizohet një vizitë në sheshin “Adem Demaçi”, si dhe do të vendosen buqeta lulesh në gurthemelin e shtatores së Adem Demaçit.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës, ndërroi jetë më 26 korrik 2018, në moshën 82-vjeçare./KP/


MË SHUME NGA Lajme