Gërvalla:Presim që deri në fund të vitit të aplikojmë për statusin kandidat
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova ka filluar procesin drejt Këshillit të Evropës dhe se presin që pas pushimeve verore të kalohet procedura dhe të shkohet ne asamblenë parlamentare.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se sa i përket aplikimit është filluar procedura në muajin maj. Ishte dy herë në Strasburg, ndërsa sipas saj "Konsulli i Kosovës atje po punon çdo ditë dhe mendoj që jemi në një rrugë shumë të mirë, dhe është vetëm fillimi i një procesi që për shtetet tjera ka zgjatur shumë por që shpresoj për Kosovën mos të zgjas kaq shumë".
“Momentalisht presim pas pushimeve verore të kalohet procedura dhe të shkohet në Asamblenë parlamentare”, ka thënë ajo.
Sipas saj ka shumë akterë që duan ta pengojnë Kosovën drejt rrugës së saj, por përshtypja e saj personale është që Kosova gëzon përkrahje të madhe politike qoftë nga vendet njohëse apo edhe nga ato mosnjohëse.
"Shpresoj pas vjeshtës të bëjmë hapin tjetër, jemi përgatitur kemi përkrahje dhe besoj të arrijmë sukses dhe se synimi qeverisë është që deri në fund të vitit të aplikoj për statusin e vendit kandidat. Të gjitha shtetet përfshirë edhe Bosnjën kanë aplikuar dhe kanë marrë statusin, Kosova e meriton statutin dhe deri në fund të vitit do të zgjedhim momentin e përshtatshëm për aplikim”, shtoi Gërvalla.
Mendojmë që procesi s’mund të ec përpara nëse ne nuk e bëjmë hapin e parë, me plotësimin e pjesës më të madhe të MSA-së e plotësojmë parakushtin themelor për aplikim, tha ministrja Gërvalla.
“Vetëm dorëzimi i aplikimit s’do të jetë i mjaftueshëm por vetëm kur atëherë të gjitha institucionet të punojmë së bashku që aplikimi të jetë i suksesshëm” ka thënë Gërvalla.
Lidhur me vizitën dhe takimin e sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani me sekretarin Blinken dhe se për çfarë do të diskutohet atje, Gërvalla ka thënë se, ata do kenë takim të planifikuar me Blinken.
Sa i përket njohjeve, Gërvalla ka theksuar se qëndron fakti që Kosova moti s' është njohur nga ndonjë shtet, por politika e jashtme është koncentruar në forcimin e raporteve me vendet që akoma s 'na kanë njohur formalisht.























