Rrustemi bën bilancin legjislativ te `Zona e Parlamentit`
Blerim Haxhiaj/ RTK
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka folur në emisionin `Zona e Parlamentit` për procesin legjislativ gjatë këtij sezoni parlamentar, duke theksuar se është bërë një punë e madhe, por në disa raste ka pasur zvarritje për shkak të procedurave në Kuvend dhe mospjesëmarrjes së deputetëve në seanca.
Rrustemi, ka potencuar sidomos reformën ligjore në drejtësi, duke u ndalur te Byroja për Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme dhe Vettingu. Ai është shprehur se për reformën në drejtësi, janë të gatshëm të bashkëpunojnë me opozitën kosovare. Sipas kryetarit të Komisionit, të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias për ligjet e reja në drejtësi, do të merren parasysh nga autoritetet kosovare.
Gjatë emisionit “Zona e Parlamentit”, kryetari Rrustemi ka folur edhe për përpjekjet që po bëhen që të finalizohet Rregullorja e Kuvendit. Ai pohoi se ka mbi dhjetë vjet që punohet me rregulloren e vjetër, ndërsa tashmë është gati drafti që do të diskutohet në seancën e së enjtes këtë javë.
Deputeti i LVV-së tha se me rregulloren e re, mund të pritet një efikasitet dhe përgjegjshmëri më e madhe e deputetëve, megjithatë miratimi i saj varet nga arritja e dy të tretave të votave në Kuvend.
Adnan Rrustemi komentoi gjithashtu edhe takimin e paralajmëruar mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me sekretarin amerikan Blinken, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes mbi 200 milionë euro me MCC-në për energjinë.
'Zona e Parlamentit' është emision kushtuar zhvillimeve parlamentare, nën drejtimin e Blerim Haxhiajt, që transmetohet çdo të martë prej orës 22.00 në RTK.























