Arb Manaj flet për ditët e para tek Slaven Belup
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Sulmuesi kosovar Arb Manaj tashmë është lojtar i ri i klubit kroat, Slaven Belup.
Sulmuesi i lindur në Klinë, ka firmosur kontratë dyvjeçare me klubin kroat me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Mediat kroate shkruajnë së sulmuesi kosovar tek Slaven Belup, do të debutojë në ndeshjen kundër Osijekut.
Manaj në Kosovë, ka luajtur për KF Dukagjinin dhe KF Trepça, për të cilat ka shënuar 24 gola në 52 ndeshje, derisa në Turqi ka qenë pjesë e ekipeve turke të ligës së dytë, Keciörengücü, Balikesirspor, Bandirmaspor, për të cilat ka shënuar 18 gola në 48 paraqitje.
Manaj është shprehur i lumtur që është bërë pjesë e skuadrës kroate, Slaven Belupi, skuadër në të cilën e ka gjetur edhe bashkëkombësin Hoxha.
“Jam i lumtur që kam nënshkruar kontratë me Slaven Belupin. E njoh ligën dhe klubin. Kam biseduar shumë me Hoxhën, me të cilin kam luajtur në ekipet e të rinjve të Kosovës”, tha Manaj.
“Besoj se do të përshtatem shpejt me ekipin dhe se me ndeshjet e mira do ta ndihmoj skuadrën që të arrijë rezultate sa më të mira”, theksoi Manaj.























