Në Tiranë u përkujtua poeti Xhevdet Bajraj
Kulturë

Në Tiranë u përkujtua poeti Xhevdet Bajraj

Denion Ndrenika/ RTK

Ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi mbrëmjen homazh kushtuar poetit Xhevdet Bajraj.

Pakëz më shumë se një muaj nga kalimi në amshim, Xhevdet Bajraj u kujtua në Tiranë në një mbrëmje poetike.

Shkrimtarë, publicistë dhe miq thanë se Bajraj i kushtoi jetën poezisë dhe me shumë ndjenjë e lartësi njerëzore.

Ata theksuan se poezia e Bajrajt është thirrje për liri, këngë e pambarimtë për Kosovën dhe për shqiptarinë.

Publicisti Halil Matoshi e quajti Bajrajn poetin më të madh të Kosovës:

“Në secilin variant, sille nga ta sjellësh, Xhevdeti është më i madhi! Megjithëse, ka jetuar në Meksiko Siti dhe ndoshta shumë njerëz në Kosovë nuk e kanë trajtuar qysh e meriton”, tha ai.

Poet i veçantë i letrave shqipe dhe shprehës i një dimensioni tjetër të lirisë, u cilësua Bajraj nga studiuesja Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrësë Kombëtare të Librit dhe Leximit:

“Ndryshe nga ajo liria që flet Ali Podrimja, Azem Shkreli, apo Din Mehmeti. Flet për një liri që është e brendshme. Është një liri e një sfere tjetër, është një liri që të gjithë e kërkojmë dhe që është kërkimi i pëjetshëm i poezisë”.

Ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi në mbrëmjen poetike homazh për poetin Bajraj tha se nderimi i intelektualëve tregon emancipimin shoqëror.

“E kam dëgjuar thënien se një shoqëri vlerësohet për nivelin e emancipimit për aq sa i nderon krijuesit, artistët, intelektualët në radhët e veta. Besoj që është një hap edhe kjo në atë drejtim që edhe ata që nuk e kanë lexuar sa duhet, ku bëj pjesë unë, por që e dimë që na nderojnë krijuesit”, shtoi Durmishi.

Gazetari Aleksandër Çipa tha se duke u njohur me eseistikën dhe publicistikën e Bajrajt në vendet amerikanolatine, e çmon atë si përfaqësuesin më të shquar të ekspresionit shqiptar në botë.


APR
Romay Lift