Tahiri:Kosova nuk mund të ecë përpara pa mbështetjen e Amerikës
Blerim Halimi / RTKlive
Takimi i presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, po vazhdon të komentohet e të analizohet në forma të ndryshme. Të shumta kanë qenë komentet se kryeministri Kurti ka reflektuar dhe tani e ka ndryshuar qasjen, por për deputeten e VV-së, Fitore Pacolli analizat e tilla nuk janë korrekte.
“Nuk mendoj se ky takim erdhi me vonesë, erdhi në kohën e duhur. Ne kemi një vit e pak muaj që qeverisim. E dimë që SHBA-të kanë edhe çështje tjera që duhet të kujdesen. Në rastin e Kosovës kemi pasur vizita edhe të kryeministrit edhe të presidentes që janë takuar me biznese amerikane dhe me zyrtarë tjerë amerikanë. Por ky takim është komentuar për shkak se në një farë mënyrë Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti është cilësuar si një antiamerikan. Dhe tani komentet që u bën dje dhe sot ishin se ja si ka reflektuar kryeministri Kurti, tani ka ndryshuar qasjen. Nuk është se ai ka ndryshuar qasjen. Këto analiza nuk janë korrekte sepse duhet të shohim se si ka ndryshuar imazhi i Kosovës në botë, sepse ne kemi raporte të shumta që e kanë vlerësuar Kosovën shumë më lart se sa në të kaluarën, kur kemi pasur udhëheqës të tjerë“, ka theksuar Pacolli në “RTK Prime”, ku po debatohet për takimin e mbrëmshëm Osmani&Kurti-Blinken.
Ajo ka thënë se nuk mund të thuhet se ka reflektuar kryeministri përderisa nuk e analizohet saktë situata se si është zhvilluar Kosova deri në këto momente dhe si ka ndryshuar imazhi i saj dhe cili është perceptimi nga jashtë për Qeverinë dhe Presidencen.
“Pra, ne dallojmë si nata me ditë nëse i analizojmë raportet që janë publikuar”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, Arta Tahiri Beqa analiste ka thënë se të gjithë e dinë kontributin që kanë dhënë SHBA-ja për Kosovën dhe se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
“Pse kaq shumë po diskutohet shkuarja e kryeministrit Albin Kurti atje është sepse kur ka qenë administrata e presidentit Trump qasja amerikane ndaj Kosovës nuk ka qenë aq e favorshme siç është tani nën administratën e presidentit Biden. Edhe deklaratat e kryeministrit Kurti asokohe kushtimisht antiamerikane, më shumë kanë qenë për Grenellin dhe ambasadorët e që shpeshherë janë interpretuar me synimin antiamerikan. Në qasjen time nuk do e shihja antiamerikan, sepse të bëhemi të sinqertë asnjë politikan i Kosovës nuk mund ta ketë një qasje antiamerikane, duke e ditur se Kosova nuk mund të ecë përpara pa mbështetjen e Amerikës”, ka thënë ajo.
Sipas saj deri më tani ka qenë një epilog ku Kosova ka qenë në bisedime, kurse tani Kosova po shkon në negociata. Ajo ka thënë se takimi në Departamentin e Shtetit e ka pasur si kryetemë dialogun Kosovë-Serbi dhe stabilitetin rajonal.
Në anën tjetër, politologu Dorajet Imeri ka thënë se takimin e djeshëm duhet ta shohim në shumë rrafshe.
“Për mua vizita paraprake e Kurtit në SHBA ka qenë një edukim politik për të, por edhe për këdo tjetër që i sheh SHBA-të si një vend ku mund të shkosh kur të duash. Në politikë është esenciale të funksionosh mbi parimin e forcës. SHBA-të përmes sigurimit të energjisë kanë treguar se janë të interesuara për t’i ofruar Kosovës pavarësi afatgjate. Sfidat e ardhshme për secilin vend, e sidomos për vendin tonë janë burimet e energjisë dhe ky investim është edhe një tregues tjetër se SHBA nuk është e interesuar vetëm për investimet gjeostrategjike, por edhe për qëndrueshmërinë e shteteve të cilat i mbështet”, ka thënë Imeri.
Sipas tij në këtë takim i është treguar kryeministrit Kurti se negociatat me Serbinë duhet të përfundojnë.
“Për aq kohë se trumbetohet se ne do të sigurojmë njohjen kjo nënkupton se ne tashmë duhet të bëjmë kompromise. Pra, sa herë që e përmedim njohjen, ajo nënkuëpton se ne duhet të lëshojmë pe”, ka shtuar Imeri.























