Nënshkruhet Marrëveshja mes Kosovës dhe MCC, vlera 236.7 milionë dollarë
Blerim Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Ka përfunduar ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.
Nënshkrimi është bërë në një ceremoni të organizuar në Kongresin amerikan, nga Alice P. Albright, shefe ekzekutive e MCC-së dhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, teksa të pranishëm kanë qenë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Përmes kësaj marrëveshje Kosova përfiton dy projekte, që njëherësh konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje MCC mëton ta ulë varfërinë në Kosovës përmes rritjes ekonomike dhe furnizimin e qëndrueshëm energjetik.
Marrëveshja e nënshkruar në Uashington do të duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.
Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Alice Albright, kryeshefe e MCC-së e ka falënderuar ekipin për të cilin ka thënë se e ka bërë një punë të mrekullueshme.
Albright tutje ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.
“Këto investime pritet që të sjellin dobi, për miliona njerëz. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë kompaktin prej 263 milionë dollarësh. 4 nga 10 shtëpi në Kosovë, aktualisht janë duke u përballur me një formë të problemeve me energjinë”, tha ajo.
"Është shumë bukur që jemi mbledhur këtu në këtë moment të rëndësishëm për të dy vendet. Mirëpresim presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ambasadorin Dugolli. Ekipi im ka bërë shumë punë për të mbërritur në këtë moment të rëndesishëm. Në 49 vende që nga viti 2004 SHBA ka investuar miliona. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë 202 milionë dollarë për mbështetje të energjisë. Energjia është kruciale për zhvillim. Investimet do të jenë në energji, si krijimin e baterive akumuluese energjetike. Fshirja e barrierave për gratë që të jenë më të përfshira në biznes. Edhe Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 35 milionë dollarë. SHBA është shumë krenare për partneritetin me Kosovën në këto marrëveshje”, ka theksuar Albright.
Kongresmeni dhe kryetari i nënkomitetit të Dhomës së Punëve të Jashtme për Evropën dhe Azinë në Shtëpinë e Bardhë, Bill Keating, e ka mirëpritur këtë marrëveshje.
“Komiteti për politikë të jashtme është bipartizan për mbështetjen ndaj Kosovës. Dua të falënderoj për punën e madhe që keni bërë. Jemi këtu me liderë të mëdhenj dhe dua te falënderoj për ato që janë bërë për këtë projekt. Dua të falënderoj presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ministren Rizvanolli dhe ambasadorin Dugollin që janë këtu. Me kryeministrin Kurti kemi pasur edhe diskutime para disa javësh kur ishte këtu. Në këtë rast edhe kompakti MCC është rast tjetër i bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së dhe rast për të kujtuar edhe përkrahjen e ish-kongresmenit Eliot Engel, që është mbështetës i madh i Kosovës. Ky është moment i rëndësishëm sepse është investim shumë i madh për energjinë në Kosovë, që do të ndihmojë dhe sigurojë pavarësi energjitike për Kosovën. E gjithë kjo edhe me përfshirjen dhe fuqizimin e rolit të gruas në këtë sektor. Është privilegj të jesh prezent në nënshkrimin e marrëveshjes mes dy vendeve mike dhe partnere që duhet të vazhdojë të forcohet”, ka thënë kongresmeni amerikan.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.
"Faleminderit për mikpritjen në këtë ndërtesë të mrekullueshme që bart kaq shumë histori. Ndërtesë kjo, e cila është sinonim i shpresës, punës së palodhur dhe ambicies.
Jam vërtet e kënaqur që jam këtu me ju në Kongresin e SHBA-ve, në të njëjtin institucion që pati rol kryesor dhe i cili dha kontribut thelbësor për lirinë e pavarësinë tonë dhe i cili vazhdon të na mbështesë sot e kësaj dite. Republika e Kosovës, një shtet sovran, një demokraci e zhvilliar dhe një ekonomi në rritje, është krenare dhe e nderuar që i ka në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Do të na dëgjoni teksa përsërisim vazhdimisht se SHBA-të janë aleati ynë më i fortë dhe se dy vendet dhe popujt tanë gëzojnë një lidhje unike, si dhe një partneritet që vërtetë që i ka rezistuar kohës.
Kjo ceremoni konfirmon edhe një herë se çfarë ngërthen në vete kjo marrëdhënie: ngërthen në vete qëndrimin pranë njëri-tjetrin dhe të qenit aty për njëri-tjetrin në kohë të mira dhe në kohë të vështira.
Sot, SHBA-të, nëpërmjet MCC-së, e rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Republikën tonë të re dhe gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar të avancojmë më tej ekonomikisht dhe të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme. Të qëndrosh pranë nesh sot dhe të na mbështesësh në përpjekjet tona për të përqafuar një tranzicion të suksesshëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të energjisë, do të thotë që të vazhdosh të punosh në mënyrë strategjike e të ndërtosh mbi ato që tashmë i kemi arritur bashkërisht përgjatë viteve.
Përballja me sfidat e tranzicionit energjetik, hartimin e politikave të duhura, përgatitja e fuqisë punëtore për nevojat e së ardhmes, por më e rëndësishmja, ruajtja dhe garantimi i sigurisë energjetike, mbeten disa nga sfidat që po na shqetësojnë kaq shumë.
Në kontekstin e zhvillimeve të sigurisë në Evropë dhe rrjedhimisht në mbarë botën, ndërhyrjet e zgjuara dhe me kohë në sektorin e energjisë në këtë periudhë mund të kthehen në trashëgiminë më të rëndësishme të brezit tonë.
Tash është koha që t`i bëjmë gjërat më mirë, të miratojmë politika të mençura dhe t`i adresojmë situatat sfiduese, duke i shndërruar ato në mundësi, të cilat e ndryshojnë kahun e veprimit drejt një të ardhme të gjelbër, të sigurt dhe më e pastër.
Kosova është e gatshme ta përqafoj këtë të ardhme dhe nga zemra ju falënderoj që jeni pjesë e këtij rrugëtimi jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Sot jemi dëshmitarë se çfarë mund të arrihet me angazhim, qëndrueshmëri dhe përkushtim.
Institucionet tona bashkërisht me ekipin e MCC-së e kanë hartuar Programin Kompakt, i cili do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve urgjente në sektorin e energjisë.
Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës.
Praktikisht, kjo Marrëveshje do të na sjellë më pranë ndërtimit të sistemit energjetik që plotëson nevojat e së ardhmes: ajo ngërthen inovacionin, garanton përballueshmëri dhe promovon gjithëpërfshirje.
Jam e lumtur të shoh se gratë janë vënë në qendër të veprimit, duke përcjellë mesazhin thelbësor për rolin e tyre jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e suksesshëm, jo vetëm të sektorit të energjisë.
Për të gjitha këto dhe për gjithçka që pason në ditët dhe vitet në vijim, dua të falënderoj çdo person në të dy ekipet tona që ka qenë pjesë e takimeve, shkëmbimeve dhe negociatave dhe që ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë për ta bërë këtë bashkëpunim rrëfim të suksesshëm.
Faleminderit, kongresmenit Keating dhe të tjerëve për mikpritjen si dhe për mesazhin e qartë se ky program është i rëndësishëm për Kongresin e SHBA-ve po aq sa edhe për institucionet e Kosovës.
Dua ta falënderoj, gjithashtu kongresmenët Meeks dhe McCaul, për gjithë kontributin e tyre që kjo të bëhet realitet.
Një falënderim i madh për shefen ekzekutive të MCC-së, znj.Albright dhe gjithë ekipin e MCC-së, të gjithë në D.C dhe të gjithë në Kosovë, për mbështetjen dhe përkrahjen e kësaj marrëveshjeje, e cila përveç adresimit të disa prej sfidave urgjente me të cilat përballemi, është po ashtu vazhdimësi e punës së shumë personaliteteve të shquara dhe disa prej miqve më të dashur të Kosovës.
Një ndër to që e vlerësojmë lart është pikërisht nëna juaj e shtrenjtë, e dashur Alice, ish-sekretarja e ndjerë e Shtetit, Madeleine Albright. Jam thellësisht e bindur se ajo do të ishte shumë krenare për këtë arritje të përbashkët sot!
Dua gjithashtu ta falënderoj thellësisht Presidentin Biden, Sekretarin Blinken dhe shumë zyrtarë nga Qeveria e SHBA-ve, për mbështetjen e këtij projekti dhe si të tillë, për ndihmën e ofruar Kosovës për ta përshpejtuar rrugën e saj të tranzicionit energjetik drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe të përballueshme. Puna e deritashme ka qenë e jashtëzakonshme, ndaj ne presim dhe kemi entuziazëm të madh për punën e mëtutjeshme", ka theksuar Osmani.
Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar këtë ditë si historike për Kosovën dhe SHBA-në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
"Sot është një ditë historike për Kosovën dhe ShBA-në për shkak se kjo tregon sa e madhe është lidhja jonë, është vulë për përpjekjet e Kosovës për energji të pastër.
Që nga fillimi i qeverisjes tonë, MCC është bërë partneri ynë më i madh, ka dhënë projektet më të mëdha, dhe ka siguruar që çdo cent po shkon aty ku i sjellë dobi qytetarëve të Kosovës.
Ne kemi punuar bashkë për projekte të mëdha, për energji, ne gjithashtu qëndrojmë bashkë për vlerat demokratike për faktorët në këtë gjendje që jemi, duke përmendur agresionin rus.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje tregon një moment të vështirë kur Kosova po përballet me problem të energjisë... ne po punojmë shumë që t’u japim të rinjve aftësi punuese, këto janë prioritete për punën tonë.
Ky kompakt është esencial që të arrihen këto. Në po punojmë shumë për sigurimin e energjisë, dhe në të njëjtën kohë, jemi sot këtu në këtë ceremoni, për shkak të lidershipit të mrekullueshëm të Albright dhe ministres Rizvanolli, për ta nënshkruar këtë marrëveshje.
Jemi sot këtu në këtë ceremoni, për shkak të lidershipit të mrekullueshëm të Albright dhe ministres Rizvanolli, për ta nënshkruar këtë marrëveshje.
Nënshkrimi i marrëveshjes është shenjë e dedikimit dhe punës sonë. Marrëveshja që po e nënshkruajmë ne, do t’i propozohet Kuvendit për votim", ka theksuar Kurti.
Gjithçka gati për nënshkrimin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe MCC
Pas pak çastesh në njërën nga departmamentet e Kongresit amerikan do të fillojë ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Kosovës për projektin Kompakt.
Gazetari i RTK-së, Visar Krasniqi raporton se tashmë janë duke u bërë përgatitjet e fundit në sallën ku do të bëhet nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, teksa ai ka sjellur ekskluzivisht marrëveshjen që do ta nënshkruajnë të dyja palët.




























