Me 80 vota, deputetët miratuan Rregulloren e re të Punës së Kuvendit
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Me 80 vota, deputetët miratuan Rregulloren e re të Punës së Kuvendit

Jeton Musliu / RTKlive

(E plotësuar Ora: 17:30) Me votimin e Rregullores së re të punës së Kuvendit, ka përfunduar për sot seanca e legjislativit.

Para se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të njoftojë për mbylljen e seancës, ai bëri të ditur edhe rezultatin e votimit.

Kështu, me 80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit votuan për këtë rregullore të re e cila parashikon shumë ndryshime në mbarëvajtjen e punës së legjislativit.
Ndërkohë, Konjufca njoftoi se vazhdimi i kësaj seance do të jetë nesër (e premte) me fillim në orën 10:00 ku do të shqyrtohet Projektligji për Financimin e Partive Politike.

Kalon mocioni, shqyrtohet Draft-Rregullorja e re e Kuvendit

Blerim Halimi/RTKlive

(E plotësuar) Me 79 vota të deputetëve është miratuar mocioni për shqyrtimin e dytë të Projektrregullores së Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi nga LVV, ka shpalosur para deputetëve draft-rregulloren e re të Kuvendit. Ai ka thënë se në këtë rregullore është punuar tash e një vit dhe gjithçka është bërë me konsensus të plotë ndërmjet subjekteve politike në kuvend. “Draft-rregollorja e re parasheh procedurat e seancës konstituive, nominimin dhe zgjedhjen e kryetarit, nominimin e nënkryetarëve etj. Po ashtu, përcakton çështjet e betimit të deputetëve. Në përputhje me Kushtetutën sqarohet roli i Kryetarit të Kuvendit për seancën plenare në raste të mungesës së kuorumit në kryesi. Gjithashtu, sqarohet shkarkimi i Kryetarit të Kuvendit, si dhe përcaktohen procedurat me rastin e përfundimit të mandatit të deputetit dhe zëvendësimin e tij”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka thënë se në draft-rregulloren e re adresohen edhe problemet për kryesimin e komisioneve të Kuvendit, defininohet kuorumi, votimi, votimi i fshehtë, pamundësohet bllokimi i seancës plenare dhe në këtë mënyrë evitohen situata kur mbesin seancat të papërfunduara dhe çështje tjera të rëndësishme.

Kuvendi ratifikon marrëveshjen me MCC-në

Kuvendi i Kosovës me 89 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim e ka ratifikuar Projektligjin për Marrëveshjen e Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për projektin Kompakt për energji, e cila u nënshkrua dje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në prezantimin e këtij Projektligji, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se Programi Kompakt paraqet investimin më të madh në sektorin energjetik që nga paslufta si dhe është shtyllë e vazhdimit të marrëdhënieve strategjike dhe përherë më të fuqishme me SHBA-të.

Votimit i parapriu edhe një debat parlamentar, ku deputetët e partive opozitare kritikuan qeverinë për vonesë në nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe reduktimin e saj vetëm në bateri akumuluese, teksa e vlerësuan të gabuar heqjen e termocentralit me gaz dhe rrjetin e gazit.

Marrëveshja e nënshkruar të mërkurën në Uashington, nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, ka vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, derisa përqendrohet në projekte të energjisë.

Kuvendi ratifikon Marrëveshjen për financimin e politikave zhvillimore për financat publike dhe rritjen e qëndrueshme

Kuvendi i Kosovës me 83 vota pro, asnjë votë kundër dhe një abstenim e ka ratifikuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për financimin e politikave zhvillimore, për financat publike dhe rritjen e qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim që është pjesë e Bankës Botërore.

Paraprakisht në prezantimin e kësaj marrëveshje ministri i financave, Hekuran Murati ka theksuar se kjo marrëveshje kap vlerën e përgjithshme 50.6 milionë euro.

“Aprovimi i këtij operacioni financiar nga Banka Botërore dpshmon arritjen e reformave të paracaktuara si parakusht për të cilat jemi përkushtuar bashkë me ministritë e linjës dhe tani ky financim vjen si përkrahje buxhetore pa kushte përcjellëse”, ka theksuar ministri Murati.

Këtë marrëveshje e mbështetën të gjitha partitë parlamentare.

Bislimi: Marrëveshja me MCC, shtyllë e marrëdhënieve strategjike me SHBA

Kuvendi i Kosovës është duke debatuar për ratifikimin e Projektligjit për Marrëveshjen e Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për projektin Kompakt për energji, e cila u nënshkrua dje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Paraprakisht me propozim të kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, deputetët votuan mocionin për amendamentim të rendit të ditës dhe përfshirje të kësaj pikë në rend të ditës.

Në prezantimin e tij të këtij Projektligji, zëvendëskryeminsitri Besnik Bislimi theksoi se e ka kënaqësinë që para deputetëve ta prezantojë Projektligjin për Marrëveshjen Kompakt me MCC-në nga SHBA.

“Programi Kompakt paraqet investimin më të madh në sektorin energjetik që nga paslufta si dhe është shtyllë e vazhdimit të marrëdhënieve strategjike dhe përherë më të fuqishme me SHBA-të. SHBA-të përmes MCC-së janë pajtuar që t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollar, që është granti më i madh në histori që nga paslufta. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështesë programin me 34.7 milionë dollarë, si bashkëfinancim duke e quar vlerën totale në 236.7 milionë dollarë. Programi Kompakt synon të stabilizojë furnizimin me energji elektrike të zhvillojë fuqi punëtore profesionale dhe gjithëpërfshirëse në energji dhe të mbështesë sektorin privat në investimet në energji. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje paraqet një bashkëpunim serioz dhe shembullor në mes Kosovës dhe SHBA-së si aleatin tonë kryesor. Ne jemi zotuar si shtet që të ndërmarrim obligime dhe ofrojmë premtime ndaj aleatit tonë kryesor në një projekt të përbashkët i cili ka fokus primar përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit tonë“, ka theksuar Bislimi ndër të tjera në prezantimin e këtij projektligji, duke i ftuar deputetët që ta votojnë atë.

Kuvendi ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare për IPA III

Kuvendi i Kosovës me 89 vota pro ka ratifikuar marrëveshjen e partneritetit për kornizën financiare me Komision Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit të para-anëtarësimit (IPA III).

Kjo marrëveshje u përkrah nga të gjitha grupet parlamentare. Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi gjatë prezantimit të kësaj marrëveshje para deputetëve tha se qëllimi i saj është që të krijohet baza ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të krijojmë bazën e nevojshme ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit të para anëtarësimit, apo fondet IPA III, për programet vjetore IPA 2021-2027. Marrëveshja si e tillë përbënë një marrëveshje kornizë, ndërsa për programet vjetore të veçanta do të lidhim marrëveshje financiare veç e veç për secilin program, ku do të specifikojmë pastaj projektet, sektorët, fondet dhe modalitetet e zbatimit për secilin prej tyre”, tha ai.

Kuvendi pritet ta miratojë marrëveshjen me MCC-në

Kuvendi i Kosovës ka përfshirë në rend të ditës marrëveshjen e Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit(MCC) për projektin Kompakt për energji, e cila u nënshkrua dje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me propozim të kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, deputetët votuan mocionin për amendamentim të rendit të ditës dhe përfshirje të kësaj si pikë e pestë. Përkrahje të njëjtës i dhanë gjitha gupet parlamentare.

Vlera e kësaj marrëveshje ndërkombëtare është 236.7 milionë euro. 

Debat ndërmjet Tahirit e Muratit për projektet komunale

Në seancën e sotme të Kuvendit ka pasur një debat ndërmjet deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri dhe ministrit të financave, Hekuran Murati. Deputeti i AAK-së ka thënë se asnjëherë raportet ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror nuk kanë qenë kurrë më keq.

“Ajo që dihet deri më tani është se investimet kapitale në komuna janë të bllokuara. Njëkohësisht buxheti për vitin 2023 duhet të jetë shumë më trasnparent dhe nuk duhet të ketë çasje politike. Informacionet që kemi nga kryetarët e komunave që ne si subjekt politik udhëheqim është se projektet që j anë dorëzuar nëpër ministri nuk kanë asnjë përgjigje”, ka theksuar Tahiri.  

Ndërkohë, ministri Murati ka thënë se nuk është e vërtetë se Qeveria po i bllokon projektet komunale. “Kushdo që e din si funksionon pushteti lokal dhe financat e tyre e din që komunat kanë autonomi të plotë sa i përket shpenzimit të buxhetit të tyre. Pra, të gjitha projektet që i kanë komunat në buxhetet e tyre mund t’i kryejnë. Madje kërkesa ime në vazhdimësi ka qenë që të kenë performancë më të mirë. {shtë në interesin tim që dinamika të jetë më e shpejtë. Asnjë projekt nuk bllokohet nga Qeveria, përkundrazi ka nxitje që t ë gjitha projektet të kryhen sipas dinamikës së paraparë“, ka theksuar Murati.

Por sipas tij, nëse bëhet fjalë për lista të dëshirave që mund t’i kenë kryetarët e komunave dhe kërkojnë që pushteti qendror t’ua financojë ato dhe nëse kjo praktikë ka ekzistuar në të kaluarën, ka thënë se me këtë qeveri kjo praktikë nuk mund të ekzistojë.

“Të gjitha komunat do t’i trajtojmë sipas peshës që kanë dhe në mënyrë të barabartë“, ka shtuar Murati.

E në reagimin e tij, Tahiri ka thënë se nuk mund të trajtohen si listë dëshirash projektet konkrete, teksa ka akuzuar Qeverinë që po përgatitet t’i godasë komunat ku nuk qeverisë subjekti i tyre. “Nëse një kryetar i komunës i ka dërguar 23 kërkesa e projekte konkrete në të gjitha ministritë, të cilat janë të protokoluara dhe nuk ka kurrë një komunikim në proces të organizimit të buxhetit 2023, kjo tregon se po përgatitni me godit pushtetin lokal aty ku ju nuk e keni fuqinë politike”, ka thënë Murati.


LDK e AAK akuzojnë Gërvallën: Merr vendime arbitrare që dëmtojnë shtetin

/KP/
Lidhja Demokratike e Kosovës  dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjatë seancës së sotme kanë akuzuar ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për vendime arbitrare që po dëmtojnë shtetin e Kosovës. Deputeti Anton Quni nga LDK solli rastin e diplomatit Viskont Jakupi ndërsa deputetja Time Kadrijaj e AAK për gjobën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ndaj MPJD-së në vlerë 13 mijë euro pasi ka refuzuar të ofrojë qasje në faturat e shpenzimeve të diplomatit, njëherisht bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu.

Deputeti Quni tha se ka shumë shembuj se si zyrtarët abuzohen nga ministrat apo stafi i tyre i ngushtë politik, me presione, shantazhe, transfere e deri tek ndëshkimet e padrejta. Ai përmendi rastin e diplomatit Viskont Jakupi, i cili ishte caktuar si Sekretar i Parë i Ambasadës së Kosovës në Londër, e më pas ishte rikthyer në Kosovë pasi kishte dërguar gabimisht adresën e banesës në të cilën do të jetonte e që ia kishte gjetur Ambasada e Kosovës në Londër.

 “Këshilli (i Pavarur Mbikëqyrës) ka konstatuar se vendimi i ministres është i jashtëligjshëm dhe kundërthënës. në vendimin e Këshillit thuhet se znj. Gërvalla ka vendosur në kundërshtim me Ligjin 03L122 dhe në kundërshtim me rregulloren 02/2019 për shërbimet e jashtme. Kolegji ka konstatuar se ministrja në asnjë rrethanë nuk ka kompetencë të tërheq përfaqësuesit diplomatikë për supozimet e saja. Në shtete ku ka kulturë institucionale, ministrat që shkelin ligjin japin dorëheqje, e besa ndiqen edhe penalisht. Kur vendimet e organeve të ankimit janë në favor të saj ajo i respekton, por ku ato nuk janë në favor të saj, ajo hesht sepse ka si të arsyetohet”, tha Quni.

Ndërsa deputetja Time Kadrijaj deklaroi se Gërvalla është pajtuar të paguajë 13 mijë euro gjobë Agjencisë për Informim dhe Privatësi sesa të tregonte se ia paguante derivatet bashkëshortit të Vjosa Osmanit, Prindon Sadriut.

“Sa për rikujtim MPJD me taksat e qytetarëve kosovarë paguante derivatet për udhëtimin e Sadriut nga Kosova në Maqedoni, aty ku shërbente si zëvendësshef i misionit. Pavarësisht legjitimitetit së kërkesës se medias për qasje në dokumente zyrtare MPJD është pajtuar që më mirë të paguajë 13 mijë euro gjobë sesa t'i bëjë publike të dhënat e shpenzimeve të këtij diplomati që po shihet se është i paprekshëm. Pavarësisht skandaleve dhe shkeljeve të vazhdueshme.... Ministrja të jap llogari para deputetëve, të na tregojë se a do të merren masa pas këtij dënimi. Kush duhet të jap llogari? Apo ky Zotëria i Parë është mbi shtetin, mbi ministrat, e mund të bëjë çfarë të dojë, e mbi qeverinë. Kujt i shërben ky diplomat? Deri kur do të lejohet që një diplomat që paguhet me taksa të shtetit të fyejë e të sulmojë mediat, të shkaktojë skandale e keqpërdorime financiare e të mos merren fare masa për të”, tha Kadrijaj.

 

Shala: Qeveria ta largojë TVSH-në nga faturat e energjisë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka falënderuar SHBA-të për ndihmën që po i jep Kosovës në krizën më të madhe energjetike nëpër të cilën po kalon vendi. Ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen mes Kosovës dhe MCC-së, teksa në emër të PDK-së ka falënderuar SHBA-të.

Duke folur në deklarimet jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit, Shala ka thënë se sektori i energjisë po përballet me mungesë të likuiditetit financiar dhe kjo po ndodh sipas tij për tri arsye.

“E para mos zbatimi i qeverisë për ndarjen e subvencionit me 100 milionë euro, e cila ka bërë që furnizuesi për shërbim publik të kërkojë nga ZRRE hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm. Pra Qeveria ka mashtruar sektorin tash e 6 muaj dhe po hyjmë në një fazë krejt të re. E dyta është rritja enorme e çmimeve në bursën ndërkombëtare dhe faktori i tretë është keqmenaxhimi i KEK-ut që është afër kolapsit”, ka theksuar Shala.

Sipas tij, KEK-u praktikisht është pa menaxhment, pasi në të gjitha nivelet e tij udhëhiqet me ushtrues detyre, teksa ka lavdëruar punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.

“KEK-un po e mbajnë gjallë punëtorët dhe specialistët inxhinierë të cilët po bëjnë çështë e mundur dhe po e përballojnë këtë sfidë. Ata meritojnë lëvdatë dhe respekt për punën dhe djerësën e tyre jashtë pjesës menaxheriale që nuk e kanë mbështetetje. PDK është thellësisht e brengosur dhe shpreh shqetësimin e saj që në mungesë të reagimit të Qeverisë qytetarët mund të përballen me një ngritje tjetër të çmimit që mund të jetë e papërballueshme dhe me mungesë të energjisë“, ka shtuar Shala.

Tutje Shala ka thënë se situata aktuale kërkon vëmendjen e mënjëhershme të Qeverisë që të krijojë një mjedis të përshtatshëm e të duhur ligjor për të akomoduar nevojat e sektorit dhe zhvillimeve në prodhimin e energjisë. Ai ka kërkuar nga Qeveria të marrë masa të shpejta dhe të duhura për të menaxhuar situatën në muajt e ardhshëm, teksa ka dhënë propozimet e PDK-së për këtë çështje e të cilat janë:

“Për të menaxhuar mirë e drejtë situatën energjetike PDK rekomandon Qeverisë të veprojë si në vijim: 1. Të largojë TVSH-në nga faturat energjisë elektrike; 2. Çmimi për tarifën e lignitit të zvogëlohet nga 3 euro për ton sa është sot në 0.26 cent për ton. 3. Të vendos obligime për gjeneratorët publik KEK dhe hidrocentralin Ujmani, duke vendosur një çmim fiks për shitjen e energjisë elektrike tek furnizuesi publik e ky çmim nuk duhet të kalojë 29 euro për megavat orë. Çdo kosto shtesë që nevojitet për gjeneratorët vendorë të mbulohet nga Qeveria. 4. Të përjashtoj çdo procedurë dhe udhëzim burokratik dhe të përshpejtojë çdo udhëzim tjetër administrativ të nevojshëm duke filluar nga ankandet për ndpërtimin e kapaciteteve në fushën e burimeve të ripërtritshme të energjisë. 5.Të krijojë një fond të posaqëm për subvencion direkt të konsumatorëve duke zëvendësuar kalldajat për ngrohje me pajisje të tjera efiçience, të cilat do të mundësonin ngrohjen me kosto me të vogël. 6.Të krijojë mekanizma nxitës për qytetarët për kursim të energjisë. 7. Të krijojë një plan veprimi për komunikim me qytetarët e vendit”, ka nënvizuar Shala.


MË SHUME NGA Lajme