Kurti: Normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, me njohje reciproke
VOA
“Takimi me sekretarin Blinken ishte i shkëlqyeshëm. Është kremtim i marrëdhënieve tona”. Kështu është shprehur kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës. Kurti është pyetur edhe për çështjen e dialogut me Serbinë. Manastirin e Deçanit e çështjen e targave. Ai ka thënë se e pranon që marrëdhëniet me Serbinë janë jonormale, të cilat duhet të normalizohen përmes dialogut dhe një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohje reciproke.
RTKlive sjell më poshtë të zbardhur intervistën e plotë të kryeministrit Kurti dhënë për "Zërin e Amerikës".
VoA: Në takimin e Sekretarin Blinken dhe zyrtarët amerikanë në Washington, u vlerësua marrëdhënia e fortë mes dy vendeve. Cilat janë mesazhet konkrete që merrni këtu dhe i përcillni me vete në vendin tuaj?
Kurti: Kur isha para dy muajve në SHBA, vizita dyjavore u dominua nga nevoja e investimeve shtesë amerikane në Kosovë, por gjithashtu edhe për një siguri shtesë për Kosovën, në kushtet kur përballemi me pasojat kontinentale dhe jo vetëm të invazionit të pajustifikueshëm dhe paprovokuar të Federatës Ruse në Ukrainë. Ndërkaq kësaj radhe erdhëm par të bërë konkrete një bashkëpunim në fushën e energjisë, përkatësisht nënshkrimin e programit të Kompaktit prej gjithsej 236.7 milion dollar që do të kontribuojë shumë për pavarësinë energjetikë të Kosovës duke filluar me bateritë akumuluese e deri tek trajnimet dhe shkathtësitë e tjera profesionale e teknike, në veçanti për gratë në Kosovë. Mirëpo me Sekretarin Blinken ne nuk u ndalem me kaq, ne diskutuam se është e domosdoshme që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme bilaterale shtetërore t’i thellojmë e avancojmë me bashkëpunim ekonomik e rritje të shkëmbimit tregtar, por gjithashtu edhe duke pasur parasysh se në dy sektorë që Kosova e ka rritur buxhetin e saj vjetor si bujqësia dhe mbrojtja, janë dy fusha në të cilat ne duhet të rrisim edhe bashkëpunimin me SHBA-në. Takimi me Sekretarin Blinken ishte i shkëlqyeshëm ishte i frytshëm dhe shumë i përzemërt. Është kremtim i marrëdhënieve tona të cilat po hyjnë në një fazë të re për shkak se sfidat në botë janë duke u shtuar por njëkohësisht edhe investimi amerikan në Kosovë gjithashtu do të vijë duke u shtuar.
VoA: Sekretari Blinken theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ndërkohë që zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë se mes të tjerash një normalizim i tillë do të pengonte synimet ruse për destabilizim në rajon. Në dritën e një situate të re gjeopolitike, ka ndryshuar qëndrimi juaj për përparësinë e këtyre bisedimeve?
Kurti: Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar rëndësinë e bisedimeve por kemi thënë se ato duhet të jenë bisedime parimore në të cilat Kosova është palë dhe jo temë siç ka qenë në të kaluarën. Për SHBA-në ashtu sikurse edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe me integritet të qartë territorial. Por në të njëjtën kohë ne po ashtu e pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore e rrjedhimisht duam normalizim të këtyre marrëdhënieve. Dhe normalizimi i marrëdhënieve bëhet me dialog i cili duhet ta ketë qëllimin e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqendruar tek njohja reciproke dhe këtu kemi dakordim të plotë me Sekretarin Blinken i cili është aleat, partner dhe mik i madh i Kosovës.
VoA: Z. Kurti, Beogradi reagoi me zemërim ndaj vendimit tuaj për të kufizuar përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia por që janë te regjistruara në Serbi dhe për masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë. Ka shqetësime se vendosja e masave të tilla mund të nxisë tensione të reja mes dy palëve. Cila është përgjigja juaj?
Kurti: Para më shumë se një muaji i kemi marrë dy vendime në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në njërën anë japim një afat dymujor i cili fillon nga e hëna e 1 gushtit që të gjithë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb që kanë targat e automjeteve nga koha e Millosheviqit si KM, PR, UR, GL etj, t’i konvertojnë ato, t’i shndërrojnë në targa legjitime dhe legale të Republikës së Kosovës. Me këtë rast ne kemi ofruar edhe lehtësime për ta bërë një shndërrim të tillë. E gjithashtu nga e hëna të gjithë ata që kanë dokumente të lëshuara nga Serbia dhe duan të hyjnë në Kosovë, në do t’i pajisim me një dokument të veçantë i cili tregon që ata mund të lëvizin lirisht në Republikën e Kosovës. Kjo është një masë që ne e marrim 11 vjet pasi që këtë tashmë e ka marrë Serbia. Ndërkaq sa iu përket atyre targave të kohës së Millosheviqit, Serbia vetë e ka pranuar në Bruksel që ato duhet të marrin fund, mirëpo duket se po i pengon zbatimi. Ne nuk jemi kundër qytetarëve serbë, përkundrazi, ne dëshirojmë që me ata të bashkëpunojmë për të mirën e përgjithshme dhe në zbatim të ligjit dhe respektim të kushtetutshmërisë. Pra këto janë masa për ligj dhe për barazi e kundër askujt.
VoA: Z. Kryeministër një përpjekje e BE-së për një takim mes jush dhe presidentit serb, Aleksander Vuciq me 19 korrik dështoi. Ju thatë se faji duhet të kërkohet në Beograd dhe sapo përmendet se përpjekjet që nuk duhet të jenë të një anshme dhe e kritikuat Serbinë për mos zbatim të marrëveshjeve. A mund të ishte bërë diçka nga pala juaj që ky takim të mos dështonte dhe për më gjerë, si mund të kontribuojë Kosova për dialog konstruktiv?
Kurti: Unë jam gjithmonë i gatshëm të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës të përgatitur mirë për çështje bilaterale. E një takim i tillë ka pasur plan të mbahet me datën 19 korrik, Mirëpo nuk u mbajt sepse Beogradi zyrtar i refuzoi atë dhe kërkoi shtyrje mbi një mujore. Pra dikur thoshin se duhet të presin sepse nuk i kanë mbajtur zgjedhjet e tash ndonëse po bëhen gati katër muaj që i kanë mbajtur zgjedhjet, sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme që kanë të bëjnë me faktin se përkundër kërkesave të SHBA-së dhe BE-së, ata nuk dëshirojnë të distancohen nga presidenti despotik Putin e nga Kremlini zyrtar dhe lufta që e shkaktoi kundër Ukrainës. Pra nuk duan t’i vendosin sanksione Moskës dhe prandaj nuk e konstituojnë Kuvendin, nuk e formojnë qeverinë dhe kërkojnë që takimet e parapara në Bruksel me mua, të spostohen në kohë. Me këtë rast, unë dua të theksoj se Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, gjatë procesit të Brukselit, ko9sntruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që ne edhe më tej të jemi të tillë. Ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, por është beogradi ai që po punon kundër marrëveshjeve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktiv dhe këtë tashmë Brukseli e ka regjistruar. Pra në vend se të ndodhë takimi me 19 korrik, tash shpresohet që mbase do të mbahet në fund të gushtit.
VoA: Ndërkohë Beogradi deklaron se ju nuk doni të zbatoni marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit për të cilin ushtrohet trysni edhe nga autoritetet ndërkombëtare. Si do t’i zgjidhni këto dy çështje?
Kurti: Janë rreth 33 marrëveshje të Brukselit dhe midis tyre nuk ka hierarki për një marrëveshje më të rëndësishme se tjetra. Pra Beogradi dëshiron që marrëveshjet si në të kaluarën t’i trajtojë si një tryezë suedeze ku mund të përzgjedhin ata sipas interesave të tyre shtetërore. Më duhet të them se nuk as në interesin e serbëve të Kosovës nj asociacion i tillë çfarë e ka dashur gjithmonë Serbia. Ata më shumë dëshirojnë të kompensohen në stilin e një Republike Serbe edhe në Kosovë për faktin se e kanë humbur Kosovën ndërkohë që nuk është dashur ta kenë asnjëherë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës praktikisht ka konstatuar se asnjëri nga ato shtatë kapituj të asaj marrëveshje të vitit 2015, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht me gjithsej 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. E përkundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse unë marrë shumë letra nga serbët në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk është për këtë asociacionin. Pra është më tepër interes i Beogradit sesa nevojë e serbëve. Ndërkaq sa i përket çështjes së Manastirit të Deçanit, ne jemi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore pa dallim religjioni. Por trashëgimia kulturore dhe pronësia nuk janë e njëjta gjë, dhe unë kam shprehur gatishmërinë time që të fillojmë bisedimet me autoritetet religjioze ortodokse në Kosovë të nacionalitetit serb në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të mirë. Por duhet theksuar se ashtu siç ne kërkojmë nga Serbia të distancohet në të tashmë nga Putini, kërkojmë të distancohet edhe nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviqi sepse bëhet fjalë për 24 hektarë që kanë qenë dhuratë e Millosheviqit për manastirin e Deçanit. E ajo ka qenë pronë publike dhe nuk do të duhej që ta abstrahojmë këtë fakt. Por unë dua një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe për të mirën publike pa cenuar e diskriminuar askënd.























