Me 40 vota kundër, 17 pro e 4 abstenime, s’kalon Projektligji i LDK-së
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Me 40 vota kundër, 17 pro e 4 abstenime, s’kalon Projektligji i LDK-së

Jeton Musliu / RTKlive

(E plotësuar: Ora 17:05) Kuvendi i Kosovës nuk e votoi Projektligjin për Shëndetësi të propozuar nga deputeti Armend Zemaj nga LDK-ja.

Nga 61 deputetë që votuan, 40 ishin kundër, 17 ishin pro dhe 4 deputetë abstenuan.

Mes atyre që abestanuan ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pas kësaj, deputetët e opozitës të cilët i dhanë mbështetje projektligjit, vendosën të mos vazhdojnë me qëndrimin e tyre në seancë për të shqyrtuar pikat e tjera të rendit të ditës.

Në këtë situatë, nuk pati më kuorum të nevojshëm që seanca të vazhdojë dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ndërpreu seancën. Ai tha se e njëjta do të vazhdojë javën tjetër.

Opozita pro Projektligjit të LDK-së për shëndetësi, pozita kundër

(E plotësuar: Ora:16:45) Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, nuk e mbështesin Projektligjin për Shëndetësinë të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kjo meqë LVV deklaron se një projektligj i tillë është afër finalizimit nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, opozita kritikon mazhorancën për arrogancë të numrave dhe cenim të demokracisë.

Iniciuesi i projektligjit, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se i njëjti ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Qëllimi i këtij projektligji ka të bëjë me rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, unifikimin e sistemit shëndetësor dhe deri te favorizimi i të arriturave shkencore njerëzore që siguron qëndrueshmëri të sistemit dhe profesionistëve shëndetësor”, tha Zemaj, deputet i LDK-së, që dikur ishte edhe ministër i Shëndetësisë.

“Prandaj ky ligj është hartuar që të jetë lehtë i zbatueshëm në dobi të qytetarëve tanë”, tha ai.

Mirëpo, deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, shprehu kundërshtimin ndaj këtij projektligji, pasi tha se i njëjti është në agjendën legjislative të Qeverisë Kurti.

Ajo kritikoi edhe partitë opozitare, pasi sipas saj, ato kanë pasur rastin të miratojnë projektligjin sa kanë qenë në pushtet, mirëpo nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Ligji për shëndetësi tashmë është në përfundim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës. Është e qartë që qeveritë e mëhershëm kanë pasur rastin, sidomos propozuesi që të procedojë në Kuvend të njëjtën, por nuk ka ndodhur”, tha Kollçaku.

“Kjo nuk është e pritshme që një qeveri e re të vazhdojë me politika të vjetra”, tha ajo.

Por kjo qasje, sipas deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, është cenim i demokracisë dhe mandatit të lirë të deputetit për iniciativa ligjore.

“Kjo shumicë parlamentare po dëshiron të tregojë arrogancën e numrave. Mund ta bëni këtë, keni vota”, tha ai.

“Por unë mendoj se kjo nuk është demokratike fare. Nëse nuk keni vërejtje me përmbajtjen e projektligjeve dhe dilni lexoni pamflete politike të një dikasteri tjetër, unë iu them se po e mbytni demokracinë dhe mandatin e lirë të deputetit për iniciativa ligjore”.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila tha se e drejta ligjore për të iniciuar ligje nuk guxon t’i merret deputetëve.

“E drejta ligjore nuk guxon t’i merret deputetëve, pa dallim partie apo grupi parlamentar. Andaj, mendoj njësojë se çdo nismë ligjore që ka qenë e pa përkrahur nga mazhoranca, nuk është e ndershme”, shtoi ajo.

Përkrahje këtij projektligji i ofroi deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Në një moment ai kritikoi edhe kolegët e tij deputetë për zhurmat e shumta në seancë plenare.

“Ju kisha lutur që të dëgjoni ose po e ndërpremë. Nëse jo po e lëmë muhabetin krejt. Nënkryetarja ose krijoni kushtet ose po e ndërpremë. Është kulturë themelore kur flet dikush me dëgju tjetrin”, tha ai.

Fjalën e mori edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili tha se ky projektligj është afër finalizimit dhe se shumë shpejt do të sillet në Kuvend.

 “Ligji për shëndetësi është ndër prioritetet më të mëdha, sikurse edhe ajo që diskutuam në mëngjes. Ky ligj është tashmë në finalizim dhe sipas planit tonë të dy këto ligje do të jetë të adresuara deri më 30 shtator, por ne do ta bëjmë shumë më herët sepse kemi bërë avancime të shkëlqyeshme”, tha ai.

Deputetët po vazhdojnë diskutimet lidhur me këtë projektligj.

Kuvendi debat për Projektligjin për shëndetësinë, iniciuar nga LDK

(E plotësuar: Ora: 16:40) Ka rifilluar seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte ndërprerë paradite.

Deputetët janë duke debatuar për reforma në sistemin e shëndetësisë.

Deputetë të opozitës kritikojnë qeverinë se derisa flet për reforma, nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Deputeti Armend Zemaj nga LDK-ja ka propozuar Projektligjin për shëndetësi dhe si i till, propozimi i tij është përkrahur edhe nga deputetët e PDK-së.

Me 42 vota kundër, 19 pro e 2 abstenime, s’kalon Projektligji

Kështu, kur mbërriti tek momenti i votimit, i njëjti nuk kaloi. Projektligji u votua me 42 kundër dhe vetëm 19 pro, e dy të tjera ishin abstenime.

Në këtë mënyrë, Kuvendi i Kosovës nuk ia ka dhënë dritën e gjelbër Projektligjit për rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale.

Pas dështimit që të votohet ky Projektligj, Kuvendi shkoi në pauzë deri në ora 15:00.

Përplasje pozitë-opozitë për Projektligjin për çmimin e ilaçeve

(E plotësuar: Ora: 12:30) Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar se Projektligji për rregullimin e çmimeve të barnave është tejet jetik për qytetarët.

Ai tha se në vendet e rajonit ekziston ky rregullim dhe se iniciativa e tyre duhet të përkrahet edhe nga partitë tjera.

 “E kanë edhe vendet e BE-së dhe në Kosovë kërkohet që të ketë një rregullim të çmimeve të barnave. Së bashku me ekspertë kemi punuar që ta sjellim një projektligj që rregullon çmimet e barnave”, tha Haxhiu.

E deputeti i LVV-së, Ardian Gola, deklaroi se ai do të presë deri në shtator që një projektligj të tillë, ta sjellë Qeveria, përkatësisht Ministria ne Shëndetësisë.

“Pas 30 shtatorit, kushdo që e sjell një projektligj të tillë ujë do ta votoj. A do të jetë nga pozita, opozita apo shoqëria civile unë do ta votoj”, tha ai.

E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri deklaroi se pacientët në Kosovë mbulojnë 40% të shpenzimeve për barna.

 “Ne na akuzoi rëndë prezantuesi i LVV-së Besim Muzaqi, aty e kuptova që ai personi në fjalë është një prej njerëzve që shet barna. Ai po i njehka mirë kush janë ata njerëz që kanë abuzuar në këtë industri”, ka thënë Tahiri.

Pas kësaj deklarata ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, i cili ka thënë se është farmacist dhe u shërben pacientëve.

“Unë me respekt e kam bërë këtë punë mbi 10 vjet. Sigurisht po shohim një presion të madh nga sponzosrizuesit që kanë interesa të larta që të kalojë kështu siç është sjellë”, ka thënë Muzaqi.

Debat për Projektligjin për rregullimin e çmimeve të barnave

(E plotësuar: Ora 12:00) Po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës me pikën tjetër të rendit të ditës e që është diskutimi për Projektligjin për rregullimin e çmimeve të barnave.

Fillimisht ministri i Shëndetësisë,  Rifat Latifi, deklaroi se e çmon përpjekjen e opozitës për të ndihmuar këtë dikaster.

Ai tha se në mandatin e deputetëve është edhe hartimi i ligjeve edhe ky ligj është hartuar dhe ka shkuar ne Qeveri për mendim.

“Por, nuk duhet të akuzohet se është bërë ligj i keq sepse deputetët këtë punë kanë të bëjnë ligje dhe nëse nuk janë të mira e kemi mundësinë e përmirësimit të tyre. Ne e përkrahim këtë projektligj”, deklaroi ministri Latifi, sipas së cilit, opozita mund ta ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë, pasi të përfundojë projektligji nga ministria.

Të gjithë deputetët e Kuvendit që po diskutojnë për këtë çështje po pajtohen se çmimi i ilaçeve duhet të rregullohet me ligj dhe se një gjë e tillë është e vonuar.

Megjithatë, ka përplasje mes deputetëve të pozitës e opozitës për arsyen prese është vonuar një projektligj i tillë dhe kush është përgjegjës për këtë situatë.

Deputetja Floretë Zejnullahu e PDK-së, si parti iniciuese e projektligjit ka thënë se Qeveria s’i ka marrë parasysh propozimet e kësaj partie opozitare.

 “Ky projektligj ka për qëllim rregullimin e çmimeve dhe ndaljen e abuzimeve me to nga kompanitë farmaceutike. Projektligji përcakton çmimin fiks për shitje të produkteve me shumicë dhe pakicë”, tha ajo.

Por deputeti i LVV-së,  Besim Muzaqi kundërshtoi, duke deklaruar se është PDK-ja ajo e cila e ka bërë të kundërtën,  pra duke  çrregulluar.

“Pse nuk e keni sjellë në Kuvend këtë projektligj për 20 vjet? Pranojeni që nuk e kishit qëllim e as tash nuk e keni qëllim, por keni interes për përshtatjen e çmimeve me kompanitë ku ju keni hise. Mos krijoni iluzione të shtyni agjenda tuajat në kundërshtim me interesin e qytetarëve në Qeverinë e Albin Kurtit”, tha deputeti Muzaqi.

Diskutimet në lidhje me këtë projektligj edhe më tej po vazhdojnë.

Shtyhet Projektligji për financimin e partive politike

Po vazhdon sot seanca e Kuvendit të Kosovës e ndërprerë dje, por me disa ndryshime në rendin e ditës.

Kjo pasi që në fillim të saj, është shtyrë për seancën e radhës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.

Arsyeja për këtë shtyrje është se ky projektligj  nuk është trajtuar fare nga komisioni parlamentar për Komunitete.

Deputetët u pajtuan  t’i japin afat këtij komisioni që deri të hënën të mblidhet dhe ta shqyrtojë këtë projektligj.

Gjithashtu, në këtë seancë, nuk pati  kuorum për amendamentet e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Përndryshe, seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës që ka filluar në orën 10:00, ndër pika të tjera të rendit të ditës, përfshinë edhe votimin e një rezolute për adresimin e rritjes së çmimeve dhe produkteve medicinale, debatin për mos liberalizimin e vizave, shqyrtimet e raporteve vjetore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe KOSTT-it.


MË SHUME NGA Lajme