Parandalimi i ekstremizmit - Video
Ahmet Maholli/RTK
50 persona janë parandaluar kohëve të fundit për të shkuar në vende ekstremiste. Krejt kjo falë një fushate të mbështetur nga departamenti amerikan i shtetit e cila po shërben për të mbështetur sa më shumë të rinj në Kosovë që janë potencialisht në rrezik nga ekstremizmi apo krimi.
Viti 2013 të riun Albert Berisha e gjeti në Siri. Ai u rekrutua atje nga ekstremistët për të shërbyer si luftëtar i ISIS-it. Por pas qëndrimit atje dhe pendimit që iu bashkua këtyre grupeve Alberti u rikthye në Kosovë ku edhe u dënua për pjesëmarrje në grupe terroriste.
Por nga përvoja atje Alberti në Kosovë u bë bashkëthemelues i një instituti i cili tani po merret me deradikalizimin e të rinjve. Ky institut sot lansoi një fushatë të re për të mbështetur sa më shumë të rinj në Kosovë që janë potencialisht në rrezik nga ekstremizmi apo krimi.
“Keqpërdorimi i besimit, i fesë, qëllimeve të mira për arsye ideologjike dhe agjenda politike, ku shumë prej të rinjve kanë rënë pre e këtyre ideologjive... Është obligim i yni si shoqëri që përveç
njerëzve tanë që jetojnë ne Kosovë duhet të merren edhe me ata që jetojnë në diasporë, për arsye se nuk kemi interes që problemet tona të brendshme t’i eksportojmë jashtë vendit... Kjo kampanjë synon të arrijë deri te diaspora jonë”, ka thënë Berisha Bashkëthemelues i INDEP
Si rezultat i këtyre fushatave u tha se kohët e fundit 50 persona janë parandaluar që të shkojnë në vende të ndryshme ekstremiste.
“Gjatë kohëve të fundit i kemi parandaluar 50 persona që të shkojnë në këto vende dhe kemi lansuar edhe Grupin Ndërkombëtar të Angazhimit për të shkëmbyer përvojat tona dhe praktikat me partneret ndërkombëtar në parandalimin e të rinjve dhe shkuarjen e tyre”, shtoi Arbër Vokrri, bashkëthemelues i INDEP.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Ne si qeveri duhet të kemi mekanizma mbrojtës, në mënyrë që të parandalojmë rekrutimin e të rinjve për qëllime të ndryshme të dëmshme. Ne kemi nevojë për më shumë promovim, kemi nevojë për të krijuar mekanizma për ta luftuar atë... Ne gjithashtu mund të parandalojmë aktet e ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë Emilia Rexhepi, Zëvendëskryeministre e Kosovës.
Kurse Vedat Sahiti - Kryeimam i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka thënë se është me rëndësi të madhe t’i vendosim përparësi masave parandaluese duke adresuar nxitje që favorizojnë apo çojnë në ekstremizëm apo radikalizëm.
Fushata për parandalim të ekstremizmit është mbështetur edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit.























