Kurti: S`ka vend për tension e as për destabilizim
Blerim Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk po bën asgjë jolegjitime që të flitet për dhunë apo tensione në vend, por po zbaton kushtetushmërinë.
I pyetur rreth deklaratave që vijnë nga zyrtarët e Serbisë se Kosova po përgatit destabilitet në veri të vendit për shkak të reciprocitetit me Serbinë lidhur me dokumentet, Kurti ka thënë se nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim.
“Në fqinjin tonë verior në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Unë besoj se paqja, demokracia, sundimi i ligjit, kushtetushmëria nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, por do t’ua shtojmë një fletëdeklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njëjësoj me çdo qytetar të Kosovës kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë jo më pak dhe ajo do të jetë një fletëdeklarim që lëshohet në kufi, në të gjitha vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës. Nuk ka kurrfarë vendi për tension, s’ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, ata që flasin për barrikada për bllokime, ata që flasin për destabilizim e për tensione flasin për vete jo për neve. Ne jemi republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë më së mirië”, ka thënë Kurti. Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që kanë targa të periudhës së Millosheviqit që t’i konvertojnë ato në targa legjitime në akronimin e shteti të përbashkët “RKS”.
Kurti: Në zyren time nuk ka asnjë letër nga qytetarët serb për Asociacionin
(E plotësuar) Lidhur me deklaratat kërcënuese të zyrtarëve të Beogradit për themelim të njëanshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kryeministri Kurti ka thënë se nuk i duket shumë e shëndetshme për demokracinë dhe as e dobishme për lirinë nëse vazhdimisht citohen deklaratat nxitëse të Beogradit, e të cilat nuk i kontribuojnë ligjit dhe Republikës sonë.
“Ata deklarojnë çdo orë diçka. Nëse unë i ndjeki çdo deklaratë e do t’i përgjigjem me koment secilës prej tyre, atëherë kjo ma zvogëlon kohën e qeverisjes sime. Mua qytetarët dhe as deputetët nuk më kanë votuar që të bëjë komentatorin e deklaratave nga Beogradit. Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e ka thënë qëndrimin e qartë Gjykata Kushtetuese dhe peticioni i qytetarëve. Ajo çfarë mund të them është se në zyre time nuk ekziston asnjë letër e asnjë qytetari serb të Kosovës, që thotë zbatoje Asociacionin. Për çdo javë marrë letra nga qytetarët serb, por asnjë nuk është për Asociacionin. E unë ju përgjigjem qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Kurti.
Ai tutje ka thënë se duhet ta kemi parasysh se kushtetushmëria dhe ligjshmëria, edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015 dhe gjithashtu edhe interesi publik i yni nuk e imponon me domosdoshmërinë destibalizuese të Beogradit temën e këtillë në Kosovë.
“Është interesant se edhe kur takojmë faktorët ndërkombëtar, kur takohemi me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, e edhe në qendrat e rëndësishme evropiane me krerët e tyre shtetëror as për së afërmi nuk na i ngrisin çështjet e Beogradit sa në konferenca për media në Prishtinë. Për besë nuk ka nevojë. Si bëhet që në Prishtinë në konferencë për media deklaratat e Beogradit proliflirohen shumëfish më tepër se në takimet me ndërkombëtar. Besoj se nuk ka nevojë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Rizvanolli: Programi Kompakt do t’ia kursejë Kosovës së paku 15 milionë euro në vit
(E plotësuar) Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila gjatë kësaj jave e nënshkroi kontratën për energjinë me Korportatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se falë këtij programi Kosova do t’i kursejë së paku 15 milionë euro në vit në sistemin energjetik.
“Përdorimi i baterisë do të ndikojë në një masë në uljen e importit të shtrenjtë. Një kalkulim preliminar i MCC-së është që rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë, siç po ndodhë këto ditë”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo ka bërë me dije se zbatimi i projektit zyrtarisht fillon 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit. “Ratifikimi në Kuvend është bërë në kohë rekorde, më shumë se një muaj më herët sesa është planifikuar. Puna nuk do të fillojë menjëherë, gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë veçse është caktuar, do të vazhdojë puna në parapërgatitjet për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni partner. Me fillimin e zbatimit të projektit, mund të fillojë prokurimi i baterive, po flasim për 2-3 vjet deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara”, ka thënë ministrja.
Kurti: Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës është zotuar t’i ndajë 34.7 milionë euro në formë të bashkëfinancimit të marrëveshjes së MCC-së të nënshkruar në SHBA këtë javë. I pari i ekzekutivit në konferencën e përbashkët për media me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se vlera totale e programit shkon në 236.7 milionë dollarë.
“Me marrëveshjen përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar që t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së çliruar. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështesë programit 34.7 milionë dollarë në bashkëfinancim duke e quar kësisoj vlerën totale në 236.7 milionë dollarë”, ka thënë Kurti.
Tutje ai ka thënë se investimet që do të bëhen përmes këtij programi do të jenë pronë e Kosovës.
“Investimet e programit kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe do t’i përfshijë tri projekte: e para është rezerva apo bateritë me kapacitet 340 megavat, e dyta është zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë dhe e treta është projekti i institucionit amerikan të katalizatorit në zhvillim. Paralelisht zhvillohen kuadro në fushën e energjisë si dhe nxiten investime”, ka thënë Kurti.























