Vuçiq bën thirrje për qetësi, "frikësohet` nga reagimi i serbëve në Kosovë
BKT
Lajme

Vuçiq bën thirrje për qetësi, "frikësohet` nga reagimi i serbëve në Kosovë

REL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se po u lutet përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për paqe.

Gjatë një konference për media në Beograd më 31 korrik, Vuçiq tha se ai po përpiqet që t’u kërkojë të gjithëve, përfshirë serbëve në Kosovë, që të mos bëjnë asgjë që mund të çojë në konflikt.

"Por, unë kërkoj edhe nga përfaqësuesit e vendeve të fuqishme dhe të mëdha që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të marrin parasysh ligjin ndërkombëtar dhe situatën në terren… Ne po bëjmë lutje për paqe dhe kërkojmë paqen”, tha Vuçiq.

Megjithatë, ai shtoi se “nuk do të ketë dorëzim dhe Serbia do të fitojë”.

“Në rast se do të nisin të persekutojnë serbët, t’i keqtrajtojnë, vrasin, Serbia do të fitojë. Kjo është gjithçka që dua të them”, u shpreh Vuçiq.

Deklaratat e Vuçiqit vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.

Ky dokument, të cilin Serbia po ashtu ua jep shtetasve të Kosovës me të hyrë në territorin e saj, ka vlefshmëri prej 90 ditësh.

Ndërkaq, nga 1 gushti po ashtu të gjithë qytetarët që kanë makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, do të mund t’i riregjistrojë ato me targat RKS (Republika e Kosovës).

Afati për riregjistrim do të zgjasë deri në fund të shtatorit.


MË SHUME NGA Lajme