Sveçla: Me përjashtim të Jarinjës e Bërnjakut, po zbatohet vendimi
BKT
Nga profili i Sveçlës në Facebook
Lajme

Sveçla: Me përjashtim të Jarinjës e Bërnjakut, po zbatohet vendimi

Jeton Musliu / RTKlive

(Plotësuar, ora 01;06) Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të asaj në Jarinjë e Bërnjak, ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për të pajisur shtetasit e Serbisë me dokument për hyrje-dalje në pikat kufitare të Kosovës.

“Të gjithë personat që posedojnë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, do të pajisen me dokumentin hyrje-dalje e cila ka afat vlefshmërie 90 ditë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, shkruan Sveçla në Facebook.

“Ky vendim do të vazhdojë të implementohet derisa të largohen të gjitha barrikadat dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave. Në momentin e largimit të të gjitha barrikadave dhe pengesave, ky vendim do të pezullohet deri më 1 shtator 2022”, ka shtuar ai.

Qeveria pajtohet me propozimin amerikan, shtyn për 30 ditë reciprocitetin

(Plotësuar) Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është e gatshme të shtyjë zbatimin e dy vendimeve të datës 29 qershor 2022 deri më datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Në një postim në Facebook thuhet se Qeveria e Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje dhe se bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë.

“Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sotme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar”, thekson Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Falënderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin, përfundon deklarata e Qeverisë.

Propozimi amerikan-të shtyhet për 30 ditë reciprociteti për letërnjoftime

(E plotësuar)Ka përfunduar takimi urgjent mes presidentes Vjosa osmani-Sadriu, ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, kryeministrit Albin Kurti dhe zëvëndëskryeministrave Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, i mbajtur në presidencë.

Pas takimit, i vetmi që u deklarua për media ishte ambasadori amerikan i cili lexoi qëndrimin dhe propozimin e tij përkitazi me situatën e krijuar në veri të vendit.

Hovenier tha se drejtuesve të shtetit të Kosovës u ka kërkuar që ta shtyjnë për 30 ditë vendimin për zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftime.

“Një nga arsyet që jam këtu dhe që u takova me presidenten Osmani dhe kryeministirn Kurti për t’u thënë që duhet ta shtyjnë për 30 ditë zbatimin e vendimit të reciprocitetit, sepse ka mospajtime dhe dezinformata sa i përket këtij vendimi, tha Hovenier.

“Ne do të presim përgjigje prej qeverisë, lidhur me këtë kërkesë”, ka thënë ai.

Ambasadori Hovenier po ashtu denoncoi veprimet e bëra nga strukturat paralele serbe që kanë bllokuar disa rrugë në veri të republikës.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, theksoi se nuk ka kërkuar që këto vendime të rishikohen, por vetëm që të shtyhet e që të ketë më shumë qartësi.

Takim urgjent mes Osmanit, Hovenier, Kurtit, Bislimit e Gërvallës

Jeton Musliu / RTKlive

Në këto momente, Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier është në takim me drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës.

Në këto çaste, Hovenier ndodhet në Presidencës e Kosovës.

Burime të RTKlive sqarojnë s enë këtë takim të orëve të vona, pas situatës së krijuar në veri të vendit, është Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri Albin Kurti si dhe dy zëvendëskryeministrat, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla.

Ndërkohë, situata në veri të vendit mbetet e qetë, por nën tension ndërkohë që ka reagime të shumta nga zyrtarë të ndryshëm të vendit dhe të jashtëm.


MË SHUME NGA Lajme