Të enjten seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për këtë sesion
Elmina Osmani/ RTK
(Plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen edhe dy herë gjatë kësaj vere, para se të shkojnë në pushime.
Seanca e fundit për këtë sesion është paralajmëruar të mbahet të enjten.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila bëri të ditur se deputetët të mërkurën do të mblidhen për të vazhduar trajtimin e pikave të papërfunduara, ndërsa të enjten do të mbahet seancë e re parlamentare.
Në seancën e re të radhës pritet të shqyrtohet edhe propozim-vendimi i qeverisë për masat emergjente në furnizimin me energji elektrike.
Kusari-Lila: Të enjten seanca e fundit për këtë sesion pranveror
Po ashtu në seancën e së enjtes në shqyrtim do të jenë edhe 20 projektligje të reja, derisa është e paraparë të mbahet edhe interpelancë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për çështjen: “Ligji i zyrtarëve publikë”, kërkesë kjo e GP të AAK-së.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar nga ekzekutivi që brenda këtyre 30 ditësh afat të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mos të ketë më kthim prapa.
Deputeti Tahiri tha se në këtë mbledhje është diskutuar situata politike në vend, dhe siç tha për AAK-në është me rëndësi që vendimi për ri-kthimin e ligjshmërisë, dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës të zbatohet.

Filloi mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës
(E Plotësuar, ora 11;35) Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Në këtë mbledhje në rend dite janë disa pika, që kanë të bëjnë me përgatitjet për Seancën plenare të re të radhës.
Mblidhet kryesia e Kuvendit të Kosovës (Ora, 06:17)
Afet BELA/ RTKlive
Sot do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Në këtë mbledhje në rend dite janë disa pika, që kanë të bëjnë me përgatitjet për Seancën plenare të re të radhës.
Pikat e rendit të ditës të ditës që kanë të bëjën me seancën plenare janë: Deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, interpelancë me ministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, për çështjen: “Ligji i zyrtarëve publikë”, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës, raporton RTKlive.
Poi ashtu do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin dhe ligjin si dhe Ligjin për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin (Në pritje të Raportit nga Komisioni funksional), shqyrtimi i parë i Projektligjit për Aktet Juridike, shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”, formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.
Mbledhja e kryesisë fillon në ora 11:00























