Osmani në BBC: Rusia kontrollon Serbinë, Vuçiq prapa bandave në veri-Video
Jeton Musliu / RTKlive
Në intervistë për BBC, emisionin NeësNight, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli mbrëmë në lidhje të drejtpërdrejtë nga Prishtina, mbi situatën e fundit në vend.
Në pyeten përse tensionet janë rritur tani, Osmani, deklaroi se Kosova nuk është asnjëherë ajo që e bën këtë, por se kjo po ndodhë nga Serbia e cila mbështetet nga Rusia. Ajo tha se Serbia është ndihmuar për kohë të gjatë në mënyrë që së fundi të tentojë të eskalojë situatën e sigurisë në Ballkanin perëndimor e në veçanti në Kosovë.
Ajo tha se pas gjithë kësaj fshihet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili përmes bandave kriminale në veri, duke i financuar dhe mbështetur, janë duke mbajtur minoritetin serb që jeton në Kosovë peng të tyre.
Duke u përgjigjur në pyetjen se pas deklarimit të kryeministrit Kurti se ditët e javët në vazhdim mund të jetë sfiduese dhe nëse pret ndonjë përshkallëzim të situatës, Presidentja Osmani u shpreh se Kosova nuk ka kontribuuar kurrë për përshkallëzim të situatës.
“Por duhet të kuptojmë se ne jetojmë pran fqinjit që është tërësisht i kontrolluar nga Rusia”, tha Osmani, duke shtuar se serbia lufton mënyrën tonë demokratike të të jetuarit dhe mbi të cilat janë të bazuara themelet e shtetit të Kosovës.
Megjithatë, presidentja u zotua se një qëllim i tillë serb s’do të lejohet në Kosovë.
“Pra, Serbia dhe Rusia janë të interesuara për të rikthyer tensionet në rajonin tonë. Në nuk do ta lejojmë këtë. Së pari, ne nuk do të biem pre e këtyre provokimeve. Së dyti, ne kurrë nuk do t’i nxisim këto provokime. Dhe së treti, ne do të punojmë së bashku me partnerët tonë që të sigurohemi se një skenar i tillë të mos ndodhë në Kosovë”, u përgjigj Osmani.
Për publikun ndërkombëtar, Presidentja Osmani foli edhe për situatën aktuale.
“Tensionet po përshkallëzohen. Megjithatë, ka pasur përgatitje nga Serbia, e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia për një kohë të gjatë, për të tentuar përshkallëzimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti. Në dekadën e fundit që Vuçiq ka drejtuar Serbinë, por veçanërisht në muajt e fundit ku ata vazhduan t’i mbështesin strukturat ilegale në veri të Kosovës të cilat përbëhen nga bandat kriminale. Nëpërmjet tyre dhe duke i manipuluar, ata janë duke mbajtur pakicën serbe që jeton në Kosovë peng të politikave të gabuara” .
Osmani tha se nuk është gjuha e udhëheqësve kosovarë në drejtim të atyre serbë që po sjell tensione, por veprimet e tyre.
“Kosova kurrë s’ka kontribuar dhe nuk do të kontribuojë në përshkallëzim apo dhunë. Por, ne duhet të kuptojmë se jetojmë afër një fqinji që kontrollohet plotësisht nga Rusia. Ata po luftojnë mënyrën tonë demokratike të jetës, kjo është një luftë kundër vlerave në të cilat jetojmë çdo ditë dhe të cilat qëndrojnë në themelet e shtetit tonë të pavarur. Nuk janë akuzat tona që po përshkallëzojnë tensionet. Janë veprimet e tyre që po përshkallëzojnë situatën dhe po krijojnë tensione. Pra, praktikisht, nëse themi të vërtetën për synimet e Rusisë dhe Serbisë, kjo nuk do të ndikojë negativisht”.
Presidentja e Kosovës tha se akomodimi i regjimeve si të Rusisë dhe Serbisë nuk është rruga e duhur, derisa mesazhi saj për presidentin rus Putin ishte se ai do të dështojë në Ukrainë dhe do të dështojë absolutisht në Ballkan në përpjekjet për destabilizim.























