Në mungesë të kourumit Kuvendi i ndërpret punimet, vazhdon nesër
A.Bela / B. Halimi
(E plotësuar, 16:20) Në mungesë kourumi është ndërprerë seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar nga grupet parlamentare që të sigurojnë edhe dy deputetë për të qenë të pranishëm në seancë, por meqenëse kjo nuk ndodhi, atëherë ai vendosi që seanca për ditën e sotme të mbyllet për të vazhduar të enjten në orën 9:30.
S`ka kuorum për rezolutën e VV-së për adresimin e rritjes së çmimeve
(E plotësuar 15:13) – Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë rezolutën e paraqitur nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për adresimin e rritjes së çmimeve.
Ndonëse në sallë ishin të pranishëm 68 deputetë, pas procesit të votimit kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca konstatoi se në votim kanë marrë pjesë vetëm 52 deputetë dhe si rrjedhojë nuk ka pasur kourum për vendimmarrje për këtë rezolutë.
Nuk ka kuorum as për votimin e raportit vjetor të KOSTT-it
Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum as për votimin e raportit vjetor të KOSTT-it në seancën e sotme plenare.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti deputetë të shumicës janë shprehur se është evidentuar performancë e mirë e ndërmarrjes në aspektin e funksionimit teknik por edhe balancimit të sistemit. Por, njëjtë nuk janë deklaruar nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët kanë thënë se s’do të marrin pjesë në votim.
Gjatë votimit të këtij raporti, në sallë kanë qenë të pranishëm 64 deputetë, por kanë votuar vetëm 50 prej tyre.
Miratohet rezuluta e propozuar nga AAK për liberalizimin e vizave
(E plotësuar, ora 14:55) Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar rezolutën e AAK-së për liberalizimin e vizave, e harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare. Kjo rezolutë është miratuar me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Votimit të kësaj rezolute i parapriu një debat për liberalizimin e vizave, e ku deputetët vlerësuan se Kosova ka kohë që i ka plotësuar kriteret në këtë proces.
Kuvendi po mban debat për mos liberalizim të vizave nga BE për Kosovën
(E plotësuar 14:45) Po mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën po debatohet për mos liberalizim të vizave nga BE për Kosovën.
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka thënë se nuk ka gjë më të vështirë e më problematike se sa që sot Kuvendi të diskutojë për një proces (liberalizimin e vizave) të cilin e ka merituar ta ketë që shumë vjet.
“Është e pavërtetë që s’kemi bërë punë sa i përket lobimit. Secili dikaster i qeverisë po edhe diplomacia parlamentare kanë hapur dyer që ndoshta nuk janë hapur në pesë vjetët e fundit. Por kjo nuk do të thotë se rezultat do të mund të shihen e preken menjëherë, pikrësiht për shkak të rrethanave që janë në BE”, ka thënë Abazi.
Ai ka thënë se në kuptimin e brendshëm e politik ky proces ka përfunduar moti, madje edhe është hapur shampanjë për të. Por, sipas Abazit tani në mënyrë konkrete duhet të realizohet që qytetarët ta gëzojnë këtë të drejtë.
Deputetja Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për liberalizimin e vizave tha se Kosovës vite më parë ka plotësuar kushtet.”Është mirë që deputetët që kanë hedhur gaz lotsjellës të dalin dhe të u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës për veprimet e tyre”, tha ajo
Deputetja Fjolla Ujkani nga VV, tha se Kosova ka pasur më së shumti kritere për vizat dhe për këtë BE-ja duhet sa më shpejt të heq vizat.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se tani është një situatë e favorshme të përmbyllet çështja e vizave për Kosovën.
Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se nuk institucionet nuk kanë dhënë muaj e data, por po punohet fuqishëm që ky proces një herë e mirë të marrë epilog.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se Kosova a mbetur një geto dhe kjo është një dëm shumë i madh dhe padrejtësi e madhe ndaj Kosovës.
Kuvendi fillon debatin për mos liberalizim të vizave nga BE për Kosovën
(E plotësuar, ora 13:30) Ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend ditë janë pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 21 korrik 2022.
Propozuesi i kësaj pike, deputeti Besnik Tahiri nga AAK-ja, tha së është momenti vendimtar që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë rezolutë për këtë çështje.
Në tekstin e rezolutës kërkon nga BE-ja të heq vizat dhe se qeveria të sjellë një platformë në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi me mocion ka filluar debatin për mos liberalizm të vizave nga BE për Kosovën.
Kuvendi mban seancë plenare (Ora 06:26)
Sot do t’i vazhdojë punimet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend ditë janë pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 21 korrik 2022.
Do të jetë në rend dite votimi i Propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve, shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, raporton RTKlive.
Po ashtu do të ketë debat parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.
Seanca do të vazhdojë edhe me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, mbajtur më 28 dhe 29 korrik 2022, të cilat janë votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2021.























