Bislimi dhe Abbott diskutojnë për tensionet në veri e krizën energjetike
Kimete Kasumi/ RTKlive
(E plotësuar, ora 14:40) Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ambasadori Abbott biseduan mbi zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe për vendimin e Qeverisë për shtyrjen me datë 1 shtator 2022, të dy vendimeve mbi regjistrimin e targave në RKS dhe dokumenteve hyrje-dalje, të datës 29 qershor 2022, në koordinim me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë’, thuhet në komunikatën për medie të Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu, pjesë e bashkëbisedimit ishte dhe gjendja aktuale botërore energjetike dhe rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, ku zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe për masat mbështetëse për qytetarët të miratuara nga Qeveria sa i përket emergjencës në furnizimin me energji, thuhet tutje në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin Abbott për angazhimin e tij, bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Foto: Arlinda Sejda/ RTK
Hovenier në takim me Kurtin, Abott me Bislimin
Arlinda Sejda/RTK
Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, u prit në takim nga kryeministri Albin Kurti.
Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, kreu i ekzekutivit kosovar pati takim me diplomatin amerikan.
RTK ka kuptuar se në këtë rast bëhet fjalë për takim të rregullt të kryeministrit me ambasadorin amerikan Hovenier.
Temë e diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në vend.
Pas takimit nuk pati deklarime për media as nga ambasadori dhe as nga Qeveria e Kosovës.
Megjithatë, nga kjo e fundit eventualisht pritet të ketë më vonë komunikatë për media.
Ndërkohë, RTK ka kuptuar se edhe ambasadori britanik,Nicholas Abott, ishte në takim në Qeverinë e Kosovës, por ai me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
As pas këtij takimi nuk pati deklarime për media nga asnjëra palë.
Duhet rikujtuar se tensionet së dielës në veri, u shmangën pasi ambasadori amerikan i kërkoi Qeverisë së Kosovës të shtyjë për një muaj afatin për vendosjen e reciprocitetit a i përket dokumenteve të Serbisë për hyrje/dalje në kufi.
























