Shefi i NATO-s bisedë me Vuçiq, ia bën të qartë gatishmërinë për ndërhyrje
Jeton Musliu / RTKlive
“NATO është e gatshme të intervenojë bazuar në mandatin e OKB-së, nëse ka përkeqësim të situatës në veri të Kosovës”.
Kjo është porosia e qartë që mori sot Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga Sekretari i Përgjithshëm i NATOs, Jens Stoltenberg.
Është vetë Stoltenberg, i cili njoftoi në rrjetet sociale se ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Bisedova me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq rreth tensioneve në veri të Kosovës”, shkruan ai.
“Të gjitha palët duhet të angazhohen me konstruktivitet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë”.
Deklarimi i tillë i shefit të NATO-s, vjen një ditë pasi ai pati një komunikim të ngjashëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, shkroi Stoltenberg një ditë më parë.
“ Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar në twitter, Stoltenberg.
























