Gjermania mbështet reciprocitetin e Kosovës ndaj dokumenteve të Serbisë
Foto:Jörn Rohde/Twitter
Lajme

Gjermania mbështet reciprocitetin e Kosovës ndaj dokumenteve të Serbisë

Jeton Musliu / RTKlive

Pas SHBA-së, një mbështetje tjetër i vjen Qeverisë së Kosovës sa i përket masave të saj të reciprocitetit në raport me dokumentet e Serbisë.

Këtë herë është ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili njoftoi se ka pasur një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Pas këtij takimi, Rohde ka shkruar në rrjetet sociale se i përkrah vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse dhe shtyrjen e zbatimit të tyre për datën 1 shtator në koordinim me SHBA-në dhe BE-në.

“Pata kënaqësinë që takova sot presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku diskutuam për zhvillimet aktuale dhe për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse për datën 1 shtator në koordinim me SHBA-në dhe BE-në”, ka shkruar ambasadori i Gjermanisë.

“ Theksova se vendimet janë legjitime dhe plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit”.

Për këtë takim ka njoftuar edhe Presidenca e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ku theksohet se  presidentja  Osmani, ka thënë se  në takim ambasadorin gjerman ka biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon.

Aty shpjegohet se Osmani ka theksuar se në raport me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani.

Vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës përcakton lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe. Megjithatë, pas tensioneve në veri të vendit, ndërkombëtarët kërkuan që zbatimi të shtyhet për një muaj, dhe me këtë janë pajtuar drejtuesit e shtetit. Prandaj, ky vendim i reciprocitetit do të fillojë të zbatohet nga 1 shtatori.

 


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA Lajme