Sonte në RTK, Ballkani – Klaksvik
Në Fokus

Sonte në RTK, Ballkani – Klaksvik

B. Halimi / RTKlive

Kampioni i Kosovës, Ballkani sonte do ta luajë ndeshjen e parë në kuadër të rrethit të tretë në Ligën e Konferencës kundër skuadrës nga Ishujt Faroe, Klaksvik. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe transmetohet ekskluzivisht në RTK, me fillim nga ora 20:00.

Portokallezinjtë synojnë ta vazhdojnë ëndrrën evropiane, por për t’ia arritur këtij qëllimi sonte i duhet përkrahja e tifozëve si dhe efikasiteti para portës mysafire.

Në konferencën për media një ditë para ndeshjes, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se kërkon rezultat sa më pozitiv në këtë duel, por ka kërkuar nga skuadra e tij që të jetë e disiplinuar, ngase në këtë fazë të garave nuk ka rivalë të lehtë.

“Duhet të jemi të përqendruar dhe të ekuilibruar, pasi gjithçka mund të vendoset nga detajet, ashtu siç na ndodhi me Zhalgirisin. Duhet të jemi cinikë, të shfrytëzojmë rastet dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk mund të them se jemi ne apo kundërshtari favorit. Ekipi që do të ketë përqendrim maksimal, do të shkojë drejt objektivit. Shpresojmë të kemi fatin dhe të marrim fitore”, ka thënë Daja.

Optimist për fitore është shprehur edhe mesfushori Nazmi Gripshi, i cili ka thënë se i gjithë ekipi është i motivuar dhe do të japin gjithçka për fitore.

“Do ta japim maksimumin dhe besoj që do të bëjmë një paraqitje dinjitoze, pasi vetëm Ballkani është tani përfaqësues i Kosovës në Evropë. Duhet t’i shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi për ta fituar këtë ndeshje”, ka thënë Gripshi.

Në rrethin parprak Ballkani arriti ta eliminojë kampionin e San Marinos, La Fiorita, me rezultat të përgjithshëm pas dy ndeshjeve, 10:0.


APR
Romay Lift